Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik pranë Kuvendit të Shqipërisë ka patur një seancë dëgjimore për dhunën në stadiume së bashku me përfaqësues të FSHF-së dhe Ministrisë së Sporteve.
Shkak janë bërë shfaqjet antisportive veçanërisht në derbin e kryeqytetit dhe në takimin Flamurtari-Besa, të dyja sfida të javës së 18 të Superligës.
Sekretari i FSHF-së, Eduard Prodani, sqaroi se në mbledhjen e fundit të komisionit Antidhunë, federata ka hedhur idenë e ashpërsimit të ligjeve për dhunën në shkallët e stadiumit.
I dërguari i Ministrisë së Sporteve, Uvil Zajmi, shtoi se është propozuar edhe një menaxhim tjetër i ruajtjes së perimetrit të fushës me forca policie të veshur civilë.
Seanca vazhdoi më pas me pyetje dhe diskutime me anëtarët e komisionit. Aty u kërkua të përmirësohej ligji mbi sportin, si marrëdhënia president-klub.
Modernizimi i infrastrukturës ishte një tjetër pikë debati. Komisioni këshilloi edhe ndëshkime më të rënda për shfaqjet e dhunës në stadiumet e futbollit./tvklan.al