Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Banorët e zonave informale që nuk kanë mundësi të paguajnë për tokën ku kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme, mund t’i paguajnë shtetit, qiranë e tokës, ose ta blejnë atë me këste. Amendamenti në ligjin e legalizimeve propozimi i grupit socialist ka marrë miratimin e komisionit parlamentar të ekonomisë.
Ylli Bufi: “Në rastet kur familjeve që u legalizohet banesa, kanë mundësi ta blejnë menjëherë, atëherë shteti bën kontratë shitje-blerje. Në qoftë se ata nuk kanë mundësi t’a blejnë menjëherë atëherë bëjnë një kontratë tjetër me shtetin, ku përcaktojnë mënyrat e dhënies së qirasë apo mënyrat e shlyerjes së kësteve. Këtu mbetet për të përcaktuar një moment të saktë, po në rastin e blerjes kush do të jetë çmimi? Mendim i shumicës së deputetëve ishte që çmimi duhet të jetë i njëjtë me atë që përdoret dhe me ish-pronarët.”
Shteti sipas këtij amendamenti, bëhet pronar i tokës ku ngrihen zona informale dhe dëmshpërblen pronarët e vjetër me vlerën e tregut. Ndërkohë që pronarët e rinj do të legalizohen në bazë të një kontrate që do të nënshkruajnë me shtetin, mbi mënyrën e kryerjes së pagesës së truallit, me vlerën e tregut, në këste me qira apo pagesë e plotë.
Sipas deputetit Dashamirë Shehi, 7 vjet është koha më e përshtatshme për t’u shtrirë pagesa në këste.
Dashamir Shehi: “Mjafton që buxheti i shtetit të bëhet garanci për një 10% që iu propozova dhe herën tjetër, që këto të legalizohen të marrin letrat e legalizimit me një 10%, që të hipotekohen, që të kenë të drejtë mbi këtë lloj hipoteke të shkojnë të kërkojnë kredi ato që janë hallexhinj.”
Deputetët e komisionit të ekonomisë, rrëzuan propozimin socialist për të mundësuar kompensim nga buxheti i shtetit të shtëpive që do të shemben në bazë të planeve urbanistike./tvklan.al