Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Komisioni parlamentar i ekonomisë ka rrëzuar propozimin e opozitës për uljen e tarifave të telefonisë dhe energjisë elektrike. Sipas propozimit të demokratëve, tarifat duhet të rikthehen në nivelet e mëparshme, sepse reformat nuk mund të kryhen me rritje çmimesh.

Ridvan Bode: “Nuk është e vërtetë, që rritja e çmimit të energjisë elektrike, është reformë zotërinj. Unë jam dakord që çmimet më atraktive, do të nxisin investitorët e tjerë, për t’u futur në tregun shqiptar. Rritja e çmimit në mënyrë të njëanshme dhe arbitrare, në kushtet kur mungojnë operatorët e tjerë”.

Socialistët kanë argumentuar se rritja e tarifave të këtyre shërbimeve është kusht për investimet e donatorëve të huaj. 

Ylli Bufi: “Reforma pikërisht është kjo, që duhet të krijojmë kushte të tilla, nëpërmjet kuadrit ligjor dhe kushteve ekonomike financiare që të vijnë operatorë të tjerë. Është një fakt i pamohueshëm, që përderisa çmimi i energjisë elektrike të jetë ky që është sot, askush nuk vjen të bëjë një investim, sepse sapo bën një investim të fizibilitetit del e paleverdishme”.

Edhe dy komisione të tjera parlamentare e kanë rrëzuar propozimin për kthimin e tarifave të vjetra për energjinë elektrik dhe telefonin fikse./tvklan.al