Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Strehimi do të mbetet sfidë për qeverinë shqiptare dhe për afro një dekadë.
“Nuk pretendohet që problemet e strehimit të zgjidhen menjëherë, qoftë edhe për një periudhë 5-vjeçare apo 10-vjeçare, por e rëndësishme është që këto politika që zbatohen sot dhe fondet që jepen në zbatim të këtyre politikave të ndryshojnë, duke i adresuar për ata që vërtetë kanë nevojë për ndihmën e shtetit”.
Aktualisht, komisionet parlamentare po marrin në shqyrtim një projektligj të ri për strehimin, që parashikon rrugë të reja financimi. Projektligji parashikon që pushteti lokal të menaxhojë fondet për strehimin, si dhe bankat private të kreditojnë për strehimin, me kusht që shteti të paguajë një pjesë të interesave.
Ridvan Bode: “Ne kemi një parametër që është 0.05% e xhidipisë jepet për problemin e strehimit në Shqipëri. Zonja e përmendi se duhen parametrat 1.5, që mua më duken pak utopike për nivelin e shpenzimeve që kryejmë sot, që nuk mund të marrë hua publike pushteti lokal, sepse nuk rakordohet borxhi publik më në Shqipëri”.
Ylli Bufi: “Çështja e decentralizimit unë jam plotësisht dakord që çështja e strehimit duhet të jetë çështja e pushtetit vendor, se së fundmi nuk mundet qeveria të merret me shtëpitë e individit të veçantë në shkallë vendi”.
Deputetët e komisionit të ekonomisë, u shprehën skeptikë në lidhje me kapacitetet e pushtetit lokal për të zgjidhur problemin e strehimit. Fondi i qeverisë për strehimin arrin në 420 milion lekë për këtë vit./tvklan.al