Komisioni i jashtëm parlamentar do të miratojë të premten projektrezolutën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Rezolutë kjo e përgatitur nga grupi parlamentar demokrat, por që parimisht ka marrë dhe miratimin e partive të opozitës.
Për kryetarin e komisionit parlamentar të jashtëm Preç Zogaj, kjo projektrezolutë do të shërbejë edhe si shtysë për këshillin e ministrave, që brenda muajit janar të bëjë kërkesën për statusin e vendit kandidat për anëtar në BE.
Preç Zogaj: “Është një etapë në rrugën e gjatë të integrimit. Është një akt që duhet bërë. Vetë opozita gjithashtu ka shprehur mbështetjen dhe është shprehur në favor të kësaj nisme me kohë. Dhe ka ardhur tamam çasti që kuvendi solemnisht me zërin e të gjitha forcave politike, të nxisë qeverisë, por të japë edhe një mesazh për partnerët tanë europian.”
Rezoluta në fjalë informon BE-në rreth angazhimeve që Kuvendi i Shqipërisë do të ndërmarrë në vijim për integrimin e vendit tonë në strukturat euroatlantike.
Pas miratimit të saj nga parlamenti pritet që kryeministri shqiptar t’i dorëzojë në mënyrë zyrtare kërkesën për statusin e vendit kandidat në familjen evropiane homologut të tij çek. Vend i cili prej muajit janar drejton presidencën e radhës së BE-së./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka