#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #tvklan
Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Të ftuar: Gerta Zaimi, Julian Zyla, Klevis Balliu, Preç Zogaj
Këtë të hënë Donald Trump në një ceremoni madhështore u inaugurua si Presidenti i 47-të i SHBA-ve. Në fakt ky është mandati i dytë i Trump si president, i cili vjen pas një shkëputjeje. Presidenca e Trump kësaj here duket se ka pritshmëri shumë herë më të larta se ato të 8 viteve më parë. Njëkohësisht ka më shumë vëmendje për shkak se situata botërore është shumë problematike vitet e fundit. Vëmendje ndaj Trump duket se është nga të katërta anët e globit. Së pari është vëmendja e vetë amerikanëve sa i përket ekonomisë dhe emigrantëve të paligjshëm. Është vëmendja e Europës ku marrëdhënia e Trump me vendet e BE-së është paksa e tensionuar. Raportet me NATO-n ku ai ka kërkuar një ngritje të shpenzimeve ushtarake me 4%. Pika më e nxehtë është lufta mes Rusisë dhe Ukrainës. Nga ana tjetër, problemi më i madh mbetet ai i përballje tregtare me Kinën, çfarë do të ndodhë mes SHBA-së dhe Kinës. Ndikimi i Trump nuk do të mungojë as në vendin tonë. Qeveria i ka hapur rrugën dhëndrit të Donald Trump për të investuar në ishullin e Sazanit, kurse nga ana tjetër opozita i ka sytë nga Presidenti ai për “non gratën” e Sali Berishës. Të gjithë këto tema të para nga këndvështrime të ndryshme diskutohen nga paneli i të ftuarve mbrëmjen e kësaj të hëne në studion e “Opinion” në Tv Klan.
Çfarë ndodhi me efektivin e Rrugores? Gazetari jep detaje në “Opinion”
Gazetari Merin Maçi dha detaje sonte në studion e “Opinion” sa i takon rastit të efektivit Azbi Spahiu. Bazuar tek hetimet e deritanishme të policisë për ngjarjen dhe deklarimeve të vetë 57 vjeçarit, Maçi theksoi se ajo që ka ndodhur me të “nuk ka aspak lidhje me detyrën e tij”.
Bëhet fjalë për një incident që siç ka thënë efektivi është “shkaktuar prej gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore”.
Blendi Fevziu: Çfarë ka ndodhur me efektivin, pse ka heshtur policia për këtë rast? Si e ka hetuar dhe çfarë ka ndodhur në të vërtetë? Në çfarë rrethanash ka ndodhur ngjarja dhe në cilën ditë tamam?
Merin Maçi: Më 15 Janar, Policia e Tiranës është njoftuar nga një qytetar se një person në momentet e para i paidentifikuar është gjetur i shtrirë në tokë, pa ndjenja në afërsi të rrugës “Kongresi i Manastirit”. Në afërsi të QSUNT. Menjëherë është bërë këqyrja e personit, ku janë konstatuar dëmtime në pjesën e pasme të kokës dhe gjymtyrëve. Është marrë dëshmia e personit që e ka konstatuar i pari dhe policia ka sjellë një njoftim paraprak. Është dyshuar se ky person që më pas është identifikuar si 57 vjeçari Azbi Spahiu, oficer i Policisë Gjyqësore, mund të ketë rënë nga lartësia.
Blendi Fevziu: Ç’do me thënë, se lartësia është nga 3 metra deri në 300 metra?
Merin Maçi: Të paktën kjo pjesë nuk është verifikuar nga ana e policisë deri më tani. Nuk ka një konkluzion përfundimtar, për sa kohë në vendin ku është gjetur personi nuk ka pasur kamera.
Blendi Fevziu: Ka dy versione që qarkullojnë, se është hedhur nga kati i 11-të ose kati i 7-të…
Merin Maçi: Ngjarja është referuar si aksidentale. Humbja e ndjenjave mund të ketë ardhur për arsye të ndryshme.
Blendi Fevziu: Po përderisa Policia thotë hedhje nga lartësia…
Merin Maçi: Kjo është thënë në njoftimin paraprak në bazë të deklarimeve që ka dhënë personi i parë që e ka konstatuar 57 vjeçarin. Është dërguar menjëherë në spitalin e Traumës. Ka një dëmtim në pjesën e pasme të kokës dhe në një prej rruazave të shtyllës kurrizore, por që nuk përbën problem për vazhdimësinë e punës së tij.
Sipas gazetarit, efektivi ndodhet në Spitalin e Traumës në gjendje të stabilizuar shëndetësore. Më tej shton se Spahiu “nuk kujton detaje se si ka humbur ndjenjat, por shprehet se kjo gjë nuk ka lidhje me detyrën e tij”.
Blendi Fevziu: A takuar zyrtarë të lartë të Policisë para se të ndodhte ngjarja?
Merin Maçi: Ka takuar ditët e fundit kolegët në komisariat. Një takim të tillë nuk e ka pohuar dhe sa i takon pretendimeve për presione, efektivi nuk e pohon një gjë të tillë. Ngjarja është trajtuar si aksidentale dhe nuk ka elementë që e çojnë në arsye apo shkaqe që mund të kenë shtyrë efektivin në akte të tjera.
Në mbyllje, Maçi thotë se “ai është një punonjës policie model dhe s’ka pasur asnjëherë vërejtje gjatë punës së tij”.
Kujtojmë se lidhur me rastin, pati një reagim nga ana e familjes së efektivit të Dielën. Familja Spahiu kërkoi që “asnjë veprim të mos ndërmerret në emrin e tyre”, duke theksuar “se kjo situatë është plotësisht personale”.
“Hapi i parë është bërë…”, Balliu për “non gratën” e Berishës: 100% i sigurt që do të bien
Donald Trump u betua si president i 47 i SHBA-së. Për këtë ngjarje të rëndësishme u diskutua edhe në emisionin “Opinion” këtë të hënë.
I ftuar ishte ndër të tjerë edhe Klevis Balliu. Ai u pyet nga gazetari Blendi Fevziu nëse Partia Demokratike beson se Sali Berishës mund t’i hiqet “non grata” nga administrata e re.
Balliu tha se është i bindur që do të ketë ndryshim dhe hapi i parë drejt heqjes së “non gratës” së Sali Berishës është bërë me një rezolutë që ka firmosur Partia Republikane.
Blendi Fevziu: A mendoni ju që administrata e Trump-it do të rishikojë vendimin e shpalljes “non grata” të Berishës, ose “non gratës” si term, jo vetëm për Berishën, por për të gjithë ata që e kanë?
Klevis Balliu: Kësaj pyetje i ka dhënë më mirë përgjigje vetë tanimë zyrtarisht Marco Rubio, i cili e ka parë dhe jemi dëshmitarë pavarësisht afilicioneve politike që mund të kemi, që “non gratat” e dhëna në Shqipëri, në veçanti të Sali Berishës, dhe në të gjithë Europën kanë pasur pikëpyetje shumë të mëdha. Keni edhe sekretarin e Mbrojtjes që ka folur zyrtarisht direkt për çështjen e zotit Berisha. Keni kongresmenë dhe senatorë që kanë folur në mënyrë direkte. Situata dhe çështja e “non gratës” vetë Marco Rubio e ka ngritur këtë problem që është një sistem i korruptuar nga ajo administratë.
Blendi Fevziu: Po nëse vjen si Sekretar Shteti i qëndron këtij vendimi të mëparshëm të DASH?
Klevis Balliu: Jam i bindur që do të ketë ndryshim dhe për këtë jam 100% i sigurt që “non grata” tanimë do të bien. Për hir të së vërtetës hapi i parë drejt heqjes së “non gratës” së Sali Berishës është bërë me rezolutën që ka firmosur Partia Republikane ku e njeh arrestimin e Sali Berishën dhe goditjen me “Skapin” e partisë si një goditje për interesa politike, kjo e shkruar në rezolutë dhe e firmosur nga partia e Donald Trump.
Dy të panjohurat e administratës Trump në raport me Shqipërinë
Me betimin e Donald Trump si Presidenti i 47-të i SHBA-ve ditën e sotme bëri që gjithë globi të ketë sytë nga administrata e tij. Në situatën aktuale, mandati i dytë i Trump pritet që të sjellë një sërë ndryshimesh, në ekonominë amerikane, luftërat, por dhe klimën politike globale.
Ndikime pritet që të ketë dhe në vendin tonë. Analisti Preç Zogaj në emisionin “Opinion” në Tv Klan tregoi dy të “panjohurat” e administratës së Donald Trump në Shqipëri. Në vend të parë ai renditi shpalljet “non grata” në vendin tonë.
“Dy të panjohurat të politikës së Trump në Shqipëri, të administratës së tij, janë qëndrimi ndaj drejtësisë dhe qëndrimi ndaj shpalljeve “non grata”. Nuk është një shpallje “non grata”, Shqipëria ka disa. Nëse vjen në shqyrtim shpallja e “non gratave” sepse ka shpallur dhe administrata e Trump “non grata” në Shqipëri”, tha Zogaj.
E panjohura e dytë sipas analistit është drejtësia, ku ai u shpreh optimist sa i përket ndikimeve që do të sjellë në Shqipëri.
“Qëndrimi ndaj drejtësisë së re. Unë mendoj dhe kam bindje se qëndrimi i administratës së re ndaj drejtësisë së re në Shqipëri jo vetëm që nuk do të ndryshojë, por mendoj se do të jetë dhe më i fortë sepse do të inkurajojë që hetimet e SPAK-ut dhe drejtësia të jetë më pak e ndrojtur ndaj palës në pushtet,” përfundoi Preç Zogaj.