Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Imuniteti i deputetit Nikollë Lesi do të kalojë për shqyrtim në parlament, pas votimit të fshehtë në komisionin e mandateve, me rezultatin 4 vota pro të shumicës dhe tre vota kundër të opozitës. Kryetari i komisionit Lekë Çukaj, votoi pro, megjithëse nuk e quajti normale dhe të bazuar në Kushtetutë, kërkesën e Gjykatës së Lartë për heqjen e imunitetit të kryetarit demokristian.
Lekë Çukaj: “Unë e kam privat, le të jetë në publik, po e kam privat mendimin, realisht unë do ta quaja jo të drejtë mendimin që të kërkohet Gjykata e Lartë heqje e imunitetit, unë, t’a ketë prokurori siç e ka Kushtetuta.”
Gazetarja: Zoti Çukaj pse votuat pro, kur mendimi juaj ishte kundra?
Lekë Çukaj: “Pavarësisht jam apo s’jam unë pro, ne do zbatojmë atë vendim që ka marrë Gjykata Kushtetuese.”
Sokol Olldashi: “Ky komision vendosi që t’i kërkojë seancës plenare heqjen e imunitetit të zotit Lesi, pas disa mbledhje radhazi kur socialistët nuk arrinin të disiplinonin grupin e tyre, sot në mbledhje mori pjesë edhe zoti Duraku, i cili votoi për heqjen e imunitetit të zotit Lesi.”
Fillimisht nënkryetari i komisionit Sokol Olldashi kërkoi që komisioni të marrë në shqyrtim të gjitha pretendimet e Xhoana Nanos, për shkrimet ku është ndjerë e cenuar dhe më pas të bëhet ballafaqimi me gazetën “Koha Jonë”. Kjo kërkesë u hodh poshtë, sepse komisioni nuk është organi i drejtësisë, që të shqyrtojë në mënyrë të tillë pretendimet e palëve./tvklan.al