Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, nuk dha një përgjigje për ftesën e bërë nga kryeministri Edi Rama t’iu bashkuar Komisionit të Posaçëm Parlamentar, i cili do të adresojë ndërmarrjen e reformave që synojnë mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian. Në përfundim të mbledhjes së Grupit Parlamentar, Bardhi tha përgjigjen për ftesën e kryeministrit do e japë në momentin që ky komision të bëhet pjesë e agjendës parlamentare.

Gazment Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar PD: Unë nuk i përgjigjem asnjë ftese të zotit Rama kur kjo çështje të jetë çështje e Kuvendit të Shqipërisë, pra të jetë pjesë e procedurave parlamentare sigurisht që do të keni edhe qëndrimin e Grupit Parlamentar të PD.

Gënjeshtra i cilësoi akuzat e PD nga Lulzim Bashës se me ndihmën e amendamenteve të bëra nga Grupi Parlamentar të PD, kanë përfituar nga amnistia rreth 100 persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme.

Gazment Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar PD: Nga ata që vazhdojnë sot të prodhojnë përsëri gënjeshtra për amnistinë, na u tha që po amnistohen drejtorat e korruptuar. Do të lirohen një tufë me drejtora të dënuar për korrupsion, do shqyheshin dyert e burgut dhe do të dilnin nga burgu. E vërteta është që amnistia hyri në fuqi dhe nuk ndodhi asnjë prej këtyre rasteve siç ishin paralajmëruar ata që politikën e bazojnë te gënjeshtra.

Teksa PD vijon riorganizimin e strukturave, Bardhi thotë se krijimi i një qeverie teknike është domosdoshmëri për të garantuar sigurinë e zgjedhjeve.

Gazment Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar PD: Qeveria teknike veçanërisht përpara zgjedhjeve ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e PD sepse jo më opozita, por raportet e OSBE-ODIHR flasin për keqpërdorim të burimeve shtetërore që kryhet nga qeveria, nuk mund të kryhet nga opozita, ne nuk kemi burime shtetërore apo përdorimin e fondeve publike për efekt të fushatës zgjedhore dhe favorizimit të partisë që është në pushtet.

Kryetari i Grupit Parlamentar i PD nuk i kurseu akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se së bashku me zyrtarët e tjerë të qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, është i përfshirë në korrupsioni te inceneratorët.

Klan News