“Unë mendoj se duhet të thërasim edhe zotin Berisha si ish-kryeministër, patjetër sepse kemi ngjarje…” Kjo ishte deklaratat e deputetes së PS, Blerina Gjylameti që shkaktoi debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës në Komisionin Hetimor për të dhënat e TIMS.
Kryetari i Komisionit Ervin Salinji e përfshiu në listën paraprake ish-kryeministrin Sali Berisha si dëshmitarë si kërkesë të PS, gjë e cila u kundërshtua nga mazhoranca.
Toni Gogu: Ti tani vëlla do të bësh gjyqëtarin e Sali Berishës. Do ta nxjerrësh nga ballkoni. Nuk e zbret dot, pikë. Kaq e thjeshtë është.
Gazmend Bardhi: Une mendoj thotë anëtarja e këtij komisioni Blerina Gjylameti që duhet të thërrasim edhe zotin Berisha dhe zotin Lulzim Basha sepse kanë të bëjnë me TIMS-in. Tani ça t’ju them unë këtyre!?
Gjylameti sqaroi në komision se thirrja e Berishës për të dëshmuar ishte ironi dhe jo një kërkesë zyrtare e PS, duke u përfshirë në një debat të fortë me Salianjin.
Blerina Gjylameti: Të marrësh ironinë për të vërtetë, të marrësh retorikën për qëndrim dhe më pas të ndërtosh një fabul të tërë për të nxjerrë ‘Romeon’ nga ballkoni unë mendoj që është e tepërt dhe nuk është në nderin tuaj sado ta doni ‘Romeon’.
Ervin Salianji: Ju thatë këtë dhe nëse ju doni ta nxirrni zotin Berisha kjo nuk është as ëndërr dhe as qëllimi im dhe t’ju them të vërtetën zonja Gjylameti unë besoj që zoti Berisha është ‘Romeo’ aq sa ju jeni ‘Zhuljeta’.
Në mbledhjen e komisionit nuk munguan as ironitë mesa palëve politike.
Në përfundim të debatit, deklarata e Gjylametit për të dëshmuar Berisha nuk u konsiderua si kërkesë zyrtare nga PS.
Ervin Salianji: Një orë u morrëm që të rregullojmë gabimin që kanë bërë në mbledhjen e kaluar deputetët e PS, Gogu dhe Gjylameti. Tani t’i kthehemi punës së komisionit përsëri.
Komisioni Hetimor caktoi dhe ekspertët dy të opozitës dhe të PS. Dy ekspertët e mazhorancës janë Dritan Jahaj dhe Vjosa Bodo Mujo, ndërsa ekspertët e opozitë janë Kreshnik Myftari dhe Henri Bici.
Klan News