Pas revoltës në ambientet e paraburgimit në Komisariatin e Laçit, organi i akuzës ka hapur një proces penal nisur nga kallëzimi i bërë nga vetë të burgosurit. Janë lëshuar urdhër arresti për komandantin e policisë Armando Muça shpallur në kërkim, ndërsa në pranga ka rënë zëvendëkomandanti Lekë Rrema. Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka kontaktuar deri tani me autoritete të burgjeve dhe policisë së shtetit duke u lënë organeve të hetimit të verifikojnë rrethanat e dhunës. Ky organizëm konstaton se kushtet në momentin e revoltës kanë qenë diskriminuese. Në Komisariatin e Laçit të burgosura femra janë vendosur në një qeli me meshkujt, ambientet janë të mbipopulluara dhe prokuroria ka shkelur ligjet duke vonuar transferimin në burgje për 11 të dënuar.
“Konkretisht Komisariati i Laçit, sipas një statistike që kemi ne, ka një kapacitet për 22 persona. Fakti që në revoltë u përfshinë 40 persona tregon që kanë qënë dyfishi i personave mbi kapacitet, së dyti problem mungesa e kapacitetit për të mbajtur kaq shumë persona krijon kushte për të mbajtur, për të shkelur të drejtën e mbajtjes veçmas të grave p.sh. nga burrat. Fakti që ne në Komisariatin e Laçit kemi gjetur dhe më parë gra që mbahen në këtë komisariat, kjo është një shkelje e rëndë e të drejtave të personave të arrestuar sidomos të seksit femër dhe ajo që është më shqetësuese për këtë komisariat është se në këtë komsiariat ka pasur 11 persona me vendim të formës së prerë për të cilët nuk kanë ekzistuar ende dosjet e kompletuara që të krijon mundësinë e transferimit të tyre në vendet e vuajtjes së dënimit çka tregon që kontrolli mbi këto vënde mbi Komisariatin e Laçit dhe për komisariatet e tjerë lë shumë për të dëshiruar.”
Sipas kallëzimit të bërë nga të burgosurit, mbrëmjen e revoltës njëri prej tyre Genc Lika është keqtrajtuar, kjo ka bërë që të reagojnë të burgosur të tjerë duke përfituar nga fakti se dy prej qelive i kishin dyert të hapura. /tvklan.al