Administrata shtetërore i ka gati përgjigjet për 7 kapituj nga 35 të tillë që ka pyetësori që Komisioni Evropian i dorëzoi qeverisë shqiptare në mesin e Dhjetorit të kaluar.
Komiteti Ndërministror për Integrim është mbledhur nën drejtimin e kryeministrit për të miratuar përgjigjet për pyetjet e kapitujve të lëvizjes së punëtorëve, prokurimit publik, peshkimit, publikimit të transportit, politikave ekonomike dhe monetare, si dhe kapitullin e doganave.
Për kreun e ekzekutivit pyetësori është dokumenti më i rëndësishëm i përgatitur ndonjëherë nga administrata shtetërore, por është edhe një test për të gjithë ministritë dhe qeverinë shqiptare.
Sali Berisha: “Këto janë shtatë. Kemi pra vetëm një të pestën sot për shqyrtim. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që me përqendrimin maksimal të punohet për kapituj të tjerë që ne jo në afatin më të shkurtër, se afati më i shkurtër, por në afatin më të parë të mundshëm duhet ta paraqesim në Komisionin Evropian materialin e përfunduar. Dy muaj punë kanë qenë dy muaj punë të frytshme, intensive”.
Duke vlerësuar fillimisht aftësinë e shqiptarëve për të përvetësuar mirë gjuhët e huaja, Berisha ka nënvizuar rëndësinë që ka përkthimi i saktë i përgjigjeve të pyetësorit në gjuhën angleze, punë kjo e përfunduar deri tani vetëm për kapitullin e politikave monetare, kapitull i përgatitur nga Banka e Shqipërisë.
Që anglishtja e Tiranës të përputhet plotësisht me anglishten e Brukselit duhet të jemi të vetëdijshëm se duhet një punë jashtëzakonisht e kujdesshme.
Pas përkthimit ministrat, drejtues të agjencive do të kenë të gjithë ne dorë materialin. Banka e Shqipërisë e ka sjellë në gjuhën e Fondit Monetar Ndërkombëtar në anglisht, i vetmi institucion.
Majlind Bregu: “Informacioni më i fundit z. Kryeministër i identifikuar mbas portalit të përgatitur nga AKSH-i është që janë 1200 punonjës të administratës shqiptare të përfshirë në procesin e përgjigjes së pyetjeve. Unë besoj që, që sigurisht me gjithë identifikimin edhe të terminologjisë e cila është kryesorja për të mbërritur në një përkthim korrekt të materialit përfundimtar, gjithsesi në fund ju do të keni mundësinë ta shikoni rishikoni edhe një herë për të parë nëse ka ndonjë mospërputhje ndërmjet variantit shqip dhe variantit anglisht, duke kërkuar gjithsesi të mos ulet ritmi dhe respektimin e kalendarit kohor.”
Pyetësori i Komisionit Evropian përmban 2284 pyetje dhe mbi përgjigjet e qeverisë shqiptare BE do të vlerësojë nëse vendi ynë do të përfitojë statusin e vendit kandidat./tvklan.al