Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Përfaqësues të shtëpive botuese në Tiranë, të ftuar si pjesëmarrës të përvitshëm në Panairin e Librit në Maqedoni, janë ndaluar nga policia e kësaj të fundit në kufi, vetëm sepse transportonin me vete libra në gjuhën shqipe. Kjo nuk është hera e parë që policia maqedonase ka vepruar në këtë mënyrë.

I njëjti qëndrim është mbajtur ndaj përfaqësuesve të shtëpive botuese shqiptare dhe në panairet e mëparshme të këtij lloji që janë zhvilluar në Maqedoni, apo në aktivitete të tjera të cilat kanë të bëjnë me librin dhe autorët në gjuhën shqipe. Duket që pas fjalëve të bukura dhe marrëveshjes së Ohrit, shteti maqedonas dhe policia e tij, kanë të njëjtat sjellje dhe tone diskriminuese ndaj intelektualëve dhe librit shqip.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në një deklaratë për shtyp, ka denoncuar fuqishëm këtë akt flagrant, fatal, fyes dhe diskriminues, ndaj intelektualëve dhe kulturës progresiste shqiptare.

“Në një kohë kur flitet për fqinjësi të mirë, policia maqedonase krijon incidente të tilla, që helmojnë atmosferën, në vend që ta çlirojnë nga barrët e vjetra, ose nga komplekset e vjetra. Prandaj ne jemi drejtuar qeverisë sonë dhe Ministrisë së Jashtme, që të reagojë pranë autoritetet maqedonase, jo vetëm për të dënuar akte të tilla, por që të marrin garanci që nuk do të përsëriten në të ardhmen”./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora