Konferenca e Kryetarëve i ka hapur rrugë ngritjes së një komisioni të posaçëm parlamentar për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin, sipas një kërkese të bërë nga grupi parlamentar socialist.
Por vendimi është miratuar vetëm me votat e përfaqësuesve të majtë në Konferencën e Kryetarëve, pasi deputetët e djathtë kërkuan më shumë informacion mbi objektin dhe qëllimet e këtij komisioni.
“Do duhet të hiqet çdo dileme për ndërhyrje në lirinë e medias. Nëse nuk është ky qëllimi i fshehur, duhet të marrim kohën e nevojshme dhe mos e trajtojmë si një temë për konsum ditor”, tha Gazment Bardhi.
Por socialistët sqaruan se ngritja e një komisioni të tillë është detyrim që rrjedh nga marrëveshja e nënshkruar me SHBA si dhe një rekomandim i BE për të ndaluar ndërhyrjet e aktorëve të tretë në proceset demokratike të vendit.
“Më vjen keq që kolegët e opozitës shohin me paranojë çdo iniciativë të mazhorancës. Dezinformimi është një nga instrumentat që po përdoret gjerësisht për të cënuar vlerat demokratike. Ky nuk është një mekanizëm për qëllimet tona të brendshme politike, prandaj këtu duhet të jemi bashkë”, tha Bledi Çuçi.
Për të shuar çdo dyshim të opozitës, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, menjëherë pas miratimit të kërkesës në Konferencën e Kryetarëve i dërgoi një letër të Dërguarit Special dhe Kordinatorit për Qendrën e Angazhimit Global të Departamentit të Shtetit, James Rubin, të cilin e fton të vizitojë Shqipërinë dhe të japë ndihmën e tij në luftën kundër ndikimeve të huaja dhe dezinformimit.
Tv Klan