Seanca plenare e së hënës pasdite u shty për t’u mbajtur ditën e nesërme ku pritet të kalojë dhe kodi i ri zgjedhor. Vendimi u mor me shumicë votash në konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare që zgjati vetëm pak minuta.
Në konferencë iu kërkua partive politike që të negociojnë për kodin e ri, duke iu dhënë gjithashtu me shumë kohë në dispozicion grupeve parlamentare për t’u njohur me draftin që mori dhe shumicën e votave në komisionin e posaçëm të reformës elektorale pak ditë me parë.
Ndërkohë përfaqësuesit e deputetëve grevistë, ai Dritan Prifti e Jak Ndokaj pas përfundimit të mbledhjes e cilësuan vendimin e marrë në konferencën e kryetarëve në kundërshti të hapur me rregulloren e kuvendit.
Jak Ndokaj: “Këmbëngulja jonë si e Dritan Priftit, si e imja për ata deputetë që janë grevistë atje që të paktën të ishte një grup pune për të negociuar dhe ne duke e bazuar në rregulloren e parlamentit i kërkuam që të paktën të ketë një afat kohor, të zbatohet rregullorja e kuvendit. Projektligji nuk mund të futet në kalendarin e punimeve të kuvendit pa kaluar të paktën dy javë që nga data e paraqitjes së tyre.”
Pas vendimit të dalë nga konferenca e kryetarëve krerët e partive të vogla u mblodhën në një tryezë të përbashkët ku thanë se vendi ndodhet në një krizë politike, një çështje që mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet dy opsioneve të deklaruara tashmë nga LSI-ja për komisionet teknike ose përfaqësimit të gjitha partive politike në institucionet e administrimit të zgjedhjeve.
Petrit Vasili: “Nëse Partia Demokratike dhe ajo Socialiste do të vazhdojnë me arrogancë dhe këmbëngulje në këto rrugë për të miratuar një kod të tillë, i cili legjitimon vjedhjen dhe tjetërsimin e votës, pra shkul themelin e demokracisë dhe të funksionimit të një shteti demokratik. Greva e deputeteve në kuvendin e Shqipërisë do të vazhdojë, protestat tona përpara parlamentit do të fuqizohen dhe do të zgjerohen”.
Vetëm një javë më parë dhjetë deputetë u ngujuan në sallën e parlamentit duke shënuar kështu ditën e tetë të grevës së urisë.
Koka: PS reagon për kodin zgjedhor
Socialistët në të parin deklarim zyrtar mbi situatën politike të krijuar i kanë cilësuar normale kundërshtitë e krijuara në procesin për një reformë të rëndësishme sikurse është ajo zgjedhore.
Kryetarja e grupit kuvendor, Leskaj, tha se partia më e madhe në opozitë në këtë proces ka marrë parasysh interesat e shqiptarëve, që vota të shkojë atje ku e jep votuesi dhe që çdo parti parlamentare të peshohet siç duhet për të mos patur më rritje artificiale të partive sikurse ka ndodhur në 17 vjet.
Valentina Leskaj: “Ne kemi argumentet tona. Natyrisht të tjerë kanë argumentet e tyre. Le t’i ballafaqojmë këto argumente qetësisht në parlament brenda institucioneve që ngarkon ligji. Le ta mësojnë pra të gjithë se për ne socialistët nuk është loja politike e radhës për të siguruar karriget e radhës. Le ta kuptojnë kolegët tanë parlamentarë se mllefi nuk është alternativë, se një qëndrim nuk mund të imponohet me zor, po përkundrazi me argumente, ashtu siç duhet ta kuptojnë edhe kundërshtarët tanë qeveritarë se duke bërë diversion me emrin e Partisë Socialiste, nuk bëjnë gjë tjetër veçse atë që dinë të bëjnë gjithmonë, të tregojnë primitivizmin e tyre dhe nuk fitojnë asnjë kapital politik./tvklan.al