Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Kryetari i Partisë Social Demokrate Skënder Gjinushi, ka bërë sot një hap përpara në mundësinë e gjetjes së një kompromisi të ri me Partinë Socialiste. Nga konferenca e socialdemokratëve në Elbasan, Gjinushi u ka dërguar mesazhe bashkëpunimi socialistëve. Me tone mjaft të zbutura nga deklaratat e një dite më parë, kryetari i parlamentit u ka thënë pjesëmarrësve në sallë se PS mbetet aleati i vetëm dhe kryesor i PSD.

Kryetari i degës së Elbasanit, tha se PSD, nuk është parti furgonash dhe socialistët kanë më pak se 50% në rrethin e tyre. Mjaft na diskriminuan, e mbylli ai fjalën e tij. Gjinushi u deklaroi elbasanasve, se partia e tyre ka dhënë prova megjithatë se mund t’ia dali edhe e vetme, duke sjellë si shembull zgjedhjet lokale. Kreu socialdemokrat, shtroi si objektiv që në rrethin e Elbasanit, të fitohen mbi 10 mijë vota dhe në gjithë Shqipërinë 150 mijë. Por pavarësisht nga synimet ambicioze, Gjinushi nuk harrojë të përsëriste edhe njëherë nevojën e bashkëpunimit me socialistët.

Skënder Gjinushi, Kryetar i PSD:- “Partia Social Demokrate, nuk i ndryshon aleatët. Absolutisht nuk ka vënë në dyshim ndonjë ndryshim kursi. PSD tashmë e përcaktuar si forcë e majtë, e qendrës së majtë në politikën shqiptare, e ka deklaruar se aleati kryesor është PS”./tvklan.al