Organizatat e huaja japin shifra alarmante për numrin e fëmijëve shqiptarë që trafikohen nëpër rrugët e Europës. Sipas një raporti të prezantuar ditën e djeshme në Konferencën Rajonale Kundër Trafikimit të Fëmijëve, janë rreth 5500 minorenë shqiptarë që shfrytësohen në vendet fqinje në Greqi dhe Itali me qëllim përfitimi. Por Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale ka hedhur poshtë këtë shifër dhe ka deklaruar se ndonjëherë publikohen edhe raporte të pabazuara në statistika të vërteta.

Engjëll Bejtja: “ Janë përdorur shifra të ndryshme të cilat vijnë nga burime, të cilat, unë nuk do t’i konsideroja shumë serioze, jo për faktin sepse ne kemi shifra të tjera, por sepse ato nuk i qëndrojnë realitetit. Është e vërtetë që edhe nga ndonjë diskutant është përdorur ndonjë shifër siç është një shifër 5 mijë a diçka e tillë, por unë doja të sqaroja një element, që është shumë i rëndësishëm, bëhet fjalë për fëmijë, të cilët kanë kaluar jashtë në Itali apo në Greqi nga viti ‘90 deri sot, të pashoqëruar dhe jo çdo fëmijë i pashoqëruar është një fëmijë i trafikuar.”

Sipas specialistëve, të cilët kanë referuar gjatë ditëve të Konferencës Rajonale Kundër Trafikimit të Minorenëve, fëmijët, të cilët janë më të ekspozuar ndaj trafikimit, janë ata të komunitetit rom dhe egjiptian, kjo për shkak të kushteve të këqija ekonomike, por ndonjëherë dhe injorancës së prindërve. Por jo rrallë, ndaj këtyre fëmijëve në nevojë, është treguar dhe indiferencë për shkak të ngjyrës së lëkurës së tyre. Sipas Drejtorit të Fondacionit Anti-Trafik të Fëmijëve Romë, Ilir Beqiri, shteti shqiptar jo shpesh është treguar indiferent kur i është kërkuar ndihmë nga ana e tyre.

“Një rast kemi, ka qenë një familje nga Pogradeci, e cila, fëmijët e saj ishin të trafikuar në Greqi. Ne kemi kërkuar ndihmën e qeverisë shqiptare për të bërë të mundur kthimin ose kapjen e fëmijës. Qeveria shqiptare akoma nuk i ka futur, me zor ne e kemi bërë atë, jo qeveria shqiptare, po kemi kërkuar shumë bashkëpunim me Policinë Shqiptare. Ne nuk kemi besim te qeveria shqiptare.”

Ndërsa Ministri Bejtja deklaron se mesazhi i qeverisë shqiptare në këtë konfernecë është: “Asnjë fëmijë shqiptar apo i çdo kombësie dhe etnie qoftë, kurrë nuk duhet të jetë objekt i trafikimit./tvklan.al