Kur për ligjin aq të debatuar për importin e mbetjeve pritet të shprehet Presidenti i Republikës, Konfindustria i ka dorëzuar Kuvendit propozimin e saj për ta amenduar.
Në kërkesën që është depozituar pranë komisionit parlamentar të veprimtarive prodhuese propozohet që të ketë kuota vjetore të mirëpërcaktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave për importin e mbetjeve për çdo produkt në veçanti.
Kuota e lejuar e importit për çdo product sipas Konfindustrisë duhet të jetë jo më shumë se 40% e sasisë së përgjithshme të mbetjeve përkatëse vjetore të prodhuara në vend.
Në vlerësimin e konfederatës së industrive, ky përmirësim krijon mundësitë, që industritë të punojnë me rreth 60-70% të kapacitetit të shfrytëzimit dhe njëkohësisht të jenë të interesuara për shtimin e përpunimit të mbetjeve vendore.
Sipaa saj, zbatimi i sistemit të integruar të menaxhimit do të rrisë sasinë e lëndës së parë të prodhuar në vend dhe si rrjedhim kuotat e lejuara të importit do të ulen.
Me këtë amendim Konfindustria beson se edhe shpëtohen nga falimentimi industria ricikluese, por dhe shtohen mundësitë dhe interesi për përpunimin e mbetjeve vendore.
Propozimi i kësaj shoqate që është pozicionuar pro lejimit të importit të mbetjeve vjen në një kohë që ligji i miratuar në Kuvend 2 javë më parë, ka krijuar një reagim të ashpër qytetare që kulmoi ditën e shtunë me një protestë përpara Kryeministrisë.
Tv Klan