Komisioni përgjegjës për të shqyrtuar kthimin e ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve nga ana e Presidentit të Republikës ka shkelur afatet për shqyrtimin e tij. Rregullorja e Kuvendit thotë shprehimisht që : Kryetari i Parlamentit çon menjëherë për shqyrtim dekretin e Presidentit në komision dhe komisioni dorëzon raportin brenda 8 javësh.

Dekreti i Presidentit që rrëzon ligjin është dërguar në Parlament me 14 tetor dhe sipas përllogaritjeve ligji duhet të ishte shqyrtuar në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese brenda kësaj jave.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta e ka çuar ligjin për shqyrtim menjëherë dhe ai është programuar në kalendarin 3 javor të punimeve që me datën 24 nëntor.

Të kontaktuar nga Televizioni Klan, burime zyrtare të shërbimeve në seancën e Kuvendit shprehen se deputetët nuk e kanë përmbushur detyrën e përcaktuar në rregullore për këtë rast.

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese në këtë rast nuk e ka zbatuar as vullnetin e Konferencës së Kryetarëve të Parlamentit. Eduard Shalësi, drejtuesi i komisionit shprehet për Tv Klan se nuk është vendosur akoma data se kur do të shqyrtohet dekreti i presidentit Bujar Nishani.

Ligji për menaxhimin e mbetjeve ka shkaktuar protesta të Shoqërisë Civile nga njëra anë dhe të ricikluesve nga ana tjetër. Ai u miratua në parlament me 63 vota të PS dhe LSI, por pas konsultimeve me shoqërinë civile LSI u ka premtuar përfaqësuesve të saj se nuk do ta votojë sërish.

Mungesa e votave duket se ka çuar edhe ne vonesat në shqyrtimin e ligjit. Ky është dekreti i dytë në historinë e kuvendit që vonohet kaq gjatë, pas atij të sigurisë publike. Zgjidhja e vetme ligjore në këtë rast është vetëm nëse presidenti i kërkon interpretim Gjykatës Kushtetuese për kufizim të kompetencave të tij nga Parlamenti./ TV KLAN