Ndarja duhet të jetë në burim. Ekspertët: Incenerimi zgjedhja e fundit
Ligji për Menaxhimin e Mbetjeve, por edhe strategjia Kombëtare për Mbetjet për periudhën 2018-2033, incenerimin e klasifikon si hap të fundit të hierarkisë së menaxhimit të mbetjeve, pas reduktimit, ripërdorimit, dhe riciklimit.
Por tjetër gjë shkruhet në ligj dhe tjetër gjë zbatohet nga qeveria shqiptare. Miliona euro janë shpenzuar pikërisht për ndërtimin e impianteve të djegies së plehrave, atij të Elbasanit, Fierit, por dhe të Sharrës në Tiranë duke lënë në harresë qëllimin kryesor të këtij ligji, i cili është ndarja në burim dhe riciklimi. Zgjidha që po synon qeveria nuk është e duhura sipas ekspertëve.
“Inceneratorët dëmtojnë shëndetin e qytetarëve. Në të gjithë botën, inceneratorët po hiqen, po çmontohen, shtuar këtu edhe direktivat europianë që theksojnë që duhet të merremi me riciklimin dhe jo me incenerimin, aq më tepër që tashmë jemi në kuadër të iniciativës botërore për një ekonomi të gjelbër”, tha Enriko Cenko, drejtor i Qendrës për Riciklimin e Mbetjeve.
Ligji përcakton qartë se njësitë e qeverisjes vendore grumbullojnë në mënyrë të diferencuar mbetjet të ndara në 4 lloje: letër, metal, plastikë dhe qelq, madje afati ishte përcaktuar brenda 31 Dhjetorit 2018. Por kjo gjë jo vetëm që nuk u shtri në të gjitha bashkitë, por edhe në Tiranë ku nisi tashmë është lënë në harresë.
“Nga gjithë ajo sasi që kemi 50% janë mbetje organike për të cilat duhet të ekzistojë landfilli dhe pjesa e mbetur nuk ka pse të futet në incenerator se mund të shkojë për riciklim dhe të rikthehet sërish”.
Kreu i qendrës për riciklimin e mbetjeve, Enriko Cenko tregon se nga mos ndarja në burim e mbetjeve ka dhe një dëm të madh ekonomik.
“Falimentimi i industrisë së riciklimit është rezultat i praktikave të gabuara që ka ndjekur qeveria”.
Zyrtarisht INSTAT deklaron se pastrimi dhe grumbullimin i mbetjeve mbulon më pak se 70% të territorit të vendit, ndërkohë që në nivel shumë të ulët është riciklim, gati 17% . Në shumë fshatra koshat e mbeturinave nuk ekzistojnë ndaj mbeturinat hidhen ku të munden, kryesisht buzë përrenjve duke përfunduar më pas në lumenj e në det.
Klan Plus