Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Xhamia Mbret në lagjen “Kala” të Elbasanit ka pritur sot besimtarët e zakonshëm për faljen e drekës. Në krye të xhamisë të pret Haxhi Faik Çota, akuzuar një ditë më parë nga myfti Halit Muharremi, se së bashku me të tjerë mysliman radikal ka zaptuar xhaminë.
Haxhi Faik Çota:- “Kam ruajtur në zemër flakën e ndezur të islamit, deri në 4 Qershor 1992 dhe në këtë datë kam bërë haxhin e parë në Arabinë Saudite bashkë me vëllezër myslimanë dhe këtë haxh e kam përsëritur në 4 Prill 1998, pra jam dy herë haxhi dhe këtu kur është hapur xhamia Mbret, jam nga vëllezërit mysliman që jam rreshtuar në krah të djathtë të gjithë të vjetërve”.
Haxhi Faiku shprehet i indinjuar për administrim nga selia e Komunitetit Mysliman në Tiranë dhe në Elbasan të disa xhamive në vend. Edhe pas vdekjes së sekretarit të përgjithshëm Sali Tivari, nga ky grup besimtarësh ripërsëritet akuza, se Tivari ka abuzuar me vakëfet pronë e komunitetit.
Haxhi Faik Çota:- “Pra rrugën e Sali Tivarit, po e vazhdon Halit Muharremi në Elbasan, i cili me tendencë etje për të siguruar një të ardhme për vete, pa e përdorur moralin e islamit në Elbasan, ka punuar në heshtje për shitjen e Namazgjasë familjes Angjeli dhe ka futur dy peqinas, të cilët po t’i analizosh dalin me interesa që e çojnë deri në komunitetin mysliman, interesin e tyre dhe mbyllet atje qarku. Pra vjen e shitet Namazgjaja e ruajtur prej 1300 vjetësh nga besimtarë elbasanas, 7 mijë metra katror, atje ka dhe një hytbe, pra është një amanet i lënë që nuk vihet dorë është institut i rrallë kombëtar në Shqipëri Namazgjaja e Elbasanit”.
Arben Ramka ka studiuar 10 vjet në Kuvajt për ligjet e islamit. Sipas tij, krerë të selisë myslimane, po shkatërrojnë imazhin e myslimanizmit shqiptar, duke thurur intriga me terrorizëm dhe radikal dhe po shkelin të drejtat e njeriut, duke diskriminuar të shkolluarit, në vende islamike.
Arben Ramka:- “Këto djem janë larguar nga droga nga prostitucioni, nga alkoli, këto djem vijnë e falen, dallojnë nga të tjerët. Ajo e cila ka shqetësuar teologët sot, ose djemtë e rinj, apo dhe moshat e vjetra është marrja në masë nëpër precedent gjyqësor, mbi 200 vetë që i kemi të evidentuar dhe ky problem na kthen në kohën e Koresë së Veriut, nuk zgjidhen kështu punët”./tvklan.al
Gazetare – Aranita Brahaj