Vendimi i djeshëm i kryesisë së socialistëve për të zhvilluar një kongres hermetik ku mediat do të lihen pas dyerve për të mos transmetuar debatet dhe zërat ndryshe që faksojnë Ramën për humbjen e 28 Qershorit, shihet nga një pjesë e anëtareve të kryesisë si i turpshëm.
Andis Harasani shprehet se Rama dhe mbështetësit e tij po rikthejnë frymën puliste të diktatorit Hoxha në parti.
Andis Harasani: “Mbledhja kryesisht ishte një hap pozitiv i cili na dha një farë shprese, por ajo çka për fat të keq mund të them pas asaj mbledhje është krijimi i bindjes që kongresi i datës 29 gusht do të jetë kongres i vazhdimësisë. Do të jetë një kongres ku nuk ka përvjetorë vdekjesh, po vetëm festohen ditëlindje, më vjen keq që shikohen elemente të frymës puniste, të frymës komuniste shikohen ende në kryesinë e Partisë Socialiste. Ajo çka është e pakuptueshme për mua, ajo çka është e pakuptueshme për shumë socialist është frika ndaj kamerave. Në një kohë që në qoftë se ka njeri i cili ka përdorur kamerat për të krijuarat investim politik, qytetar, kulturor është zoti Rama dhe të jetë pikërisht zoti Rama i cili del kundër kamerave. Mua më duket e pakuptueshme në këtë pikë.”
Harasani mbështet vendimin e Blushit për të mos kandiduar për postin e kryetarit, pasi sipas tij me të gjitha gjasat kjo garë nuk do të jetë legjitime.
Andis Harasani: “Më vjen keq që një figurë politike, zoti Blushi tërhiqet nga gara, por e mbështes atë vendim pasi po vërtetohet ajo çka ne kishim frikë që gara nuk do jetë legjitime.”
Gazetarja: “Mendoni se zoti Malaj duhet të vendoset përballë Ramës?”
Andis Harasani: “Unë vazhdoj të mendoj që dorëheqja, kandidimi, rikandidimi janë të gjitha çështje personale. Ne në jetë të gjithë bëjmë zgjedhje. Këto janë zgjedhje personale të cilat duhet të kemi parasysh kur bëjmë këto zgjedhje se si ndikojnë këto në fatin e njerëzve të cilët na mbështesin ose na kundërshtojnë. Dorëheqja, kandidimi dhe rikandidimi janë thjesht personale. Në qoftë se zoti Malaj do kandidojë për kryetar partie unë do të votoj për zotin Malaj.”
Pas një mbledhje që ka zgjatur afro 5 orë, kryesia e Partisë Socialiste ose më mirë Rama dhe mbështetësit e tij hodhën poshtë propozimet e një pjese tjetër të anëtarëve të kryesisë për zhvillimin e një kongresi transparent dhe miratimin nga afro 1500 delegatët e kongresit të ndryshimeve në statut ./tvklan.al