Lajme Arkiva 2003
Procesi i numërimit të fletëvotimeve për listën e anëtarëve të Komitetit të Përgjithshëm drejtues është kontestuar gjatë mbrëmjes nga disa delegatë të Tiranës, sipas tyre janë konsideruar të vlefshme edhe ato fletë që kanë patur më pak ose më shumë se 95 emra të shënuar. Kjo ka shkaktuar largimin e dy anëtarëve të komisionit, përfaqësuesit e kandidatëve Rama dhe Meidani.
“Detyrohemi të tërhiqemi, po trajtohemi sikur jemi në komision me Berishën, jo sikur jemi të partisë sonë, kaq mund të them, s’mund të them më tepër”.
“Në disa raste konstatuam se kishte më shumë emra se sa ato emra që duheshin lënë për fitues, pra, më tepër se 95 emra. Kishte dhe raste që ishin më pak, por të gjitha këto fletë që sipas statutit janë të parregullta, të pavlefshme, komisioni kërkonte në mënyrë ilegjitime ti kthente ato në të vlefshme. Komisioni, mendoj në mënyrë jo të drejtë po vazhdon punën edhe me dorëheqjen e këtyre dy përfaqësuesve të kandidatëve”.
Kongresi i 6-të i Partisë Socialiste është vëzhguar edhe nga vëzhgues ndërkombëtar, por edhe media si dhe procesi i votimit dhe i numërimit ka qenë transparent për shumicën e delegatëve të Kongresit, të cilët kanë vazhduar të ndjekin punën e komisionit.
Bardhyl Agasi: Me gjithë ato ndodhi të jashtëzakonshme ky komision i votimit vazhdon normalisht punën dhe çdo gjë ka rrjedhur në mënyrë krejt normale, pa pritur pati një kërkesë nga disa përfaqësues, delegatë që ishin dhe thanë që u bë numërimi më shumë se 95. Në këto kondita komisioni i numërimit të votave u rikthye edhe njëherë dhe pa se fleta ishte krejtësisht normale me 95. Sidoqoftë ka edhe një rregullore që pas çdo ankese është i ngritur edhe Komisioni i Garancive Statusore. Tani duke u nisur sipas pretendimit të tyre, ata mendojnë se raste të tilla ka pasur më parë. Por të gjithë kanë qenë në sallë dhe siç mund të kenë numëruar në këtë rast mund të kenë numëruar dhe të gjithë fletët e tjera dhe kjo nuk do të thotë që sipas atyre dhe jo sipas komisionit të votimit të bëhet numërimi. Di t’ju them që ka 6 orë që vazhdon numërimi i votave./tvklan.al