Tregu i karburanteve në vendin tonë është i kufizuar si pasojë e sjelljes së koordinuar mes ndërmarrjeve kryesore, të cilat ndikojnë fuqishëm në shitjen e karburanteve si në tregun e shumicës ashtu edhe në atë të pakicës.
Ky është përfundimi në të cilin ka arritur Autoriteti i Konkurrencës në raportin mbi hetimin e thelluar në tregun e karburanteve.
Ky institucion ka ftuar ndërmarrjet nën hetim të tërheqin një kopje të raportit dhe pret pretendimet.
Sipas këtij institucioni importuesit kryesorë të karburanteve në Shqipëri kanë bashkëpunuar me tregtarët e shumicës dhe pakicës në mënyrë që çmimet të mbeten të larta.
E gjithë kjo situatë e krijuar po rëndon mbi xhepat e konsumatorit, një situatë që është trajtuar shpeshherë në TV Klan.
Autoriteti i Konkurrencës nuk ka publikuar detaje në lidhje me shkeljet që janë konstatuar, por thekson se kufizimet e konkurrencës janë të dukshme.
Pas seancës dëgjimore më datë 26 Dhjetor komisioni i konkurrencës pritet të ndëshkojë subjektet që kanë shkelur ligjin./tvklan.al
Gazetar: Edian Gjoni