Dy nga partitë më të mëdha opozitare Aleanca Kosova e Re dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kërkojnë që zgjedhjet lokale të mbahen në gjysmën e dytë të tetorit. Nënkryetari i AKR-së Ibrahim Makolli, tha se muaji tetor është më i përshtatshëm pasi sipas tij kjo do të mundësonte dalje më masive të qytetarëve në zgjedhje.
Ibrahim Makolli: “Dhe shumë prej faktorëve të që janë të përshtatshëm për mbajtjen në muajin tetor janë pikërisht duke u mbështetur në interesat e qytetarëve. Është koha më e përshtatshme.”
Ai beson se konsultimet do të zgjasin më së shumti 1 javë, ndërsa zëvendësi i AAK-së, Besnik Tahiri dyshon se komisioni qendror zgjedhor do të mund të kryej detyrën e vet si duhet.
Besnik Tahiri: “Kjo situatë na sjell drojën se do të mund të ketë vonesa në mbajtjen e zgjedhjeve.”
Edhe AAK-ja preferencën mbajtjen e zgjedhjeve në tetor e arsyeton me gjasat për mot të volitshëm e sipas Tahirit do të lehtësonte daljen në zgjedhje. AAK ishte partia më e zëshme sa i përket kërkesës për mbajtjen e zgjedhjeve këtë vit, por punët mund ti prishë Partia Demokratike e Kosovës e cila pritet të propozojë gjysmën e parë të nëntorit si periudhë kur duhet të mbahen zgjedhjet.
Zëdhënësi i partisë më të madhe në vend Blerand Stavileci, në një bisedë nëpërmjet telefonit nuk përjashtoi mundësinë që PDK0-ja të ngulë këmbë për mbajtjen e zgjedhjeve në nëntor, konsultime të cilat fillojnë të hënën janë të përfshira brenda kornizës ligjore dhe i ndihmojnë presidentit të vendit që të caktojë një datë për mbajtjen e zgjedhjeve të pranueshme nga të gjitha partitë politike./tvklan.al