Me afrimin e sezonit të ri shkollor qendrat e trajtimit të studentëve kanë filluar përgatitjet për pritjen dhe akomodimin e tyre duke rritur në mënyrë të ndjeshme dhe kapacitetin e godinave.

Në konviktin e universitetit të Elbasanit për vitin e ri akademik ky universitet ka në projekt dhe ndërtimin e një godine të re.

Xhina Daiu: “Për rritjen e cilësisë së akomodimit ne njëkohësisht kemi hartuar edhe një projekt të ri për ndërtimin e një konvikti, i cili do të bënte që të përmirësohej ndjeshëm kushtet e studentëve nëpër dhoma.”

Nga ana tjetër në qendrën e trajtimit të studentëve në Korçë përgatitjet për pritjen e tyre kanë filluar prej disa ditësh.

Këtë vit konvikti i Korçës rezervon për studentët dhe kaldajat me gaz, të cilat kanë zgjidhur përfundimisht problemin e ngrohjes në muajt e dimrit.

Moza Mançelli: “Ajo që dua të theksoj për vitin e ri akademik është se nuk do të lejojmë një mbipopullim të dhomave. Ndërhyrjet janë bërë në drejtim të rikonstruksionit, meremetimit, me lyerjet, dezinfektime, pastrime të të gjitha ambienteve ku priten të vijnë studentët”.

Në qytetin bregdetar të Vlorës qyteza “Studenti” funksionon me një kapacitet total prej 750 shtretërish.

Sipas drejtorit të konvikteve, Adhurim Rrapaj, ky vit do të jetë dhe viti në të cilat do të plotësohen kushtet optimale.

Adhurim Rrapaj: “Përsa i takon ujit, uji ka qenë gjatë gjithë kohës, ka qenë prezent. Ne kemi depozita, gati 30 mijë litra ujë kemi në godinën e vajzave, dhe rreth 20 mijë litra në godinën e djemve, kështu që këto janë kapacitete të mjaftueshme për të përballuar këtë ngarkesë”.

Rrethet të cilat presin ardhjen e studentëve këtë vit të ri shkollor kanë filluar punimet prej kohësh në mënyrë që nga viti në vit kushtet dhe jetesa studentore të përmirësohet gradualisht./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami