Qyteti i Korçës është përfshirë paradite nga paniku pas shpërthimit që ndodhi në një njësi të tregtimit të bombolave të gazit në rrugën “Fan Noli” në qendër të qytetit. Për disa minuta me radhë bombolat e gazit fluturonin gjithandej duke përbërë rrezik për jetën e qytetarëve.
Dy mjete zjarrfikëse kanë mbërritur në kohë dhe bënë të mundur lokalizimin e zjarrit dhe shmangien e një katastrofe. Ndërsa policia evakuoi banorët nga zona e rrezikshme dhe ndaloi qarkullimin e automjeteve.
Në momentin e shpërthimit në dyqanin e tregtimit të bombolave të gazit ka pasur vetëm një punëtor, i cili ka shpëtuar pasi ka vrapuar menjëherë sapo ka dalluar rrjedhjen e gazit. Nga grupi i ekspertëve mësohet paraprakisht se shkak i këtij shpërthimi ka qenë mbushja e një bombole të vogël nga një bombol e madhe gazi, çfarë ka shkaktuar edhe rrjedhjen e tij.
Prefektja e Korçës u shpreh për televizionin Klan se shkaku i shpërthimit lidhet edhe me disa arsye që kanë të bëjnë me mungesën e plotë të sigurisë në pikën e tregimit të gazit.
Elfrida Zefi: “Një vendndodhje jo e përshtatshme, një tregtim në sasi jashtë standardeve dhe njëkohësisht në një vend që bëhej mbushje e bombolave të vogla nga mbushjet e mëdha. Unë kërkoj reagime dhe të autoriteteve vendore që nëpërmjet organeve dhe strukturave përkatëse të taksave. Patjetër duhet të kontrollojnë mënyrën e tregtimit.”
Ndërkohë nga ana e institucionit të prefektit është ngritur një grup pune për të inspektuar kushtet e sigurisë dhe të tregtimit në të gjitha pikat e gazit. Të cilat në shumicën e rasteve ndodhen në katet e para e pallateve ose pranë banesave./tvklan.al
Gazetare: Daniela Zisi