Raketa ndërkontinentale Huasong-15 e testuar të martën nga Koreja e Veriut. Sipas ekspertëve amerikanë për ushtrinë, kjo raketë mund të godasë objektiva në një rreze deri 13 mijë kilometra. Mediat shtetërore të Penianit thanë se raketa përfshin në rreze gjithë territorin kontinental të Shteteve të Bashkuara.

Lartësia e arritur prej saj, tejkaloi mbi 10 herë orbitën e stacionit hapësinor ndërkombëtar. Prova e suksesshme raketore – sipas autoriteteve të shtetit komunist – e fut Korenë e Veriut në listën e fuqive bërthamore globale.

Raketa mund të transportojë edhe koka me mbushje bërthamore, por edhe kimike e bakterologjike. Ndaj dhe testi ka shqetësuar pa masë komunitetin ndërkombëtar, duke rikthyer tensionet që nuk ndiheshin prej shtatorit, kur Peniani kreu edhe testin më të fundit bërthamor. Presidenti amerikan Donald Tramp i telefonoi liderëve të Koresë së Jugut dhe Japonisë.

Ata dënuan provën dhe kërkuan reagim të menjëhershëm. “Provokim” e quajtën testin edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, po ashtu edhe kancelarja gjermane Angela Merkel e presidenti francez Emanuel Makron. Këshilli i Sigurimit i OKB do të zhvillojë një mbledhje urgjente.

Tv Klan