Koreja e Veriut thotë se po teston vaksinën e saj kundër koronavirusit Covid-19. Sipas mediave të huaja, besohet se krijuesit e vaksinave po e testojnë produktin e tyre tek njerëzit që kanë simptoma të ngjashme me Covidin, edhe pse regjimi i Kim Jon Un thotë se në shtetin më të izoluar të botës nuk ka asnjë të infektuar.
Daily Mail raporton se shkencëtarët e Koresë së Veriut që po përgatisin vaksinën e tyre, po e zhvillojnë duke përdorur të dhëna që i kanë hakeruar nga shkencëtarët e huaj.
Dyshimet për pirateri nga hakerat koreano-veriorë u shfaqën disa muaj më parë kur Microsoft kishte vënë re veprimtari të dyshimta dhe sulme kibernetike që mesa dukej e kishin origjinën nga Korea e Veriut.
Sipas informacioneve të raportuara nga shtypi botëror, deri tani ka përfunduar faza e parë dhe e dytë e testimit të vaksinës në Korenë e Veriut dhe tani po zhvillohet faza e tretë.
Koreja e Veriut nuk ka raportuar asnjë rast të infektimit me virusin Covid-19, edhe pse këto deklarata të regjimit të Kim Jong Un janë marrë me rezerva. /tvklan.al