AMP po zhvillon një operacion pas disa muajsh hetime, për të goditur një skemë korrupsioni në radhët e policisë kufitare.

Gazetari Besar Bajraktaraj mësoi se pas kërkesës së AMP-së, Gjykata e Tiranës ka vendosur arrest në burg për efektivin e Rinasit, Briken Tereziu dhe Eno Sulejmanajn.

Ky i fundit ndodhet në burg pasi u kap me 1 kilogramë kokainë kohë më parë. Gjithashtu gjykata ka vendosur masën arrest shtëpie për 3 efektive policie të cilët janë Sokol Xhika, Aris Drini, Ermal Mesi, të tre efektivë në Rinas.

Ndërkohë detyrim paraqitjeje është vendosur për 4 të tjerë: Enkis Aliaj, Argil Hasa, Ylli Prençi dhe Rei Shenjtolli. Sipas burimeve 8 punonjës të tjerë janë nën hetim.

Të njëjtat burime shtojnë se këta persona në bashkëpunim me Eneo Sulejmanaj kanë bashkëpunuar të fusin klandestinë drejt BE.

Veprimtaria kriminale dyshohet se është kryer nga Marsi i 2023 deri në Mars të 2024. Dyshohet se agjencia në emër të Sulejmanajt “Bus Albania” priste bileta avioni për persona të ndryshëm që nuk udhëtonin dot drejt BE.

Dyshohet gjithashtu se Eno Sulejmanaj kishte kontakte me efektivin Briken Tereziu. Ky i fundit përmes kolegëve të tij lejonin udhëzimin e personave të jashtëligjshëm për të kaluar kufirin përmes shumave monetare.

Briken Tereziu është shpallur në kërkim pasi ende nuk është arrestuar. Të gjithë efektivët akuzohen për shpërdorim detyre.

Ndërsa Sulejmanaj akuzohet për korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike.

/tvklan.al