Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryeparlamentari Daci, ka vlerësuar se institucionet e Kosovës janë suspenduar nga pjesëmarrja në politikën ndërkombëtare, që prej themelimit. Ai e ka vlerësuar, si të nxituar vendimin e djeshëm të kryeadministratorit Steiner, për dënimi e institucioneve të Kosovës, për shkak të miratimit të rezolutës për njohjen e luftës çlirimtare për liri dhe pavarësi. Vendimin e Steiner, Daci e ka quajtur edhe si masë të nxjerrë me dhunën nga politika jashtë Kosovës.

Nexhat Daci:- “Është një vendim i nxituar, më tepër i kanalizuar nga sanduiçi në të cilën gjendet ai, prej sulmeve nga Beogradi. Mendoj që institucionet e Kosovës kanë qenë të suspenduara prej fillimit në politikën ndërkombëtare dhe ai ka qenë gabimi më i madh, që nga themelimi i institucioneve, që është pranuar prej UMNIK-ut”.

Sipas Dacit, teksti i rezolutës së përbashkët është i balancuar dhe nuk ka njeri që mund t’i bëjë vërejtje, ndërsa reagimin e serbëve, ai e kupton si presion nga qarqet politike në Beograd. Sidoqoftë, kryeparlamentari Daci është optimist, se masa që është e limituar në një periudhë dyjavore, nuk do të jetë me pasoja për institucionet e Kosovës. Sipas Dacit, masa e Steiner nuk do të ndikojë, që institucionet e Kosovës të ndërpresin bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare.

Edhe kryeministri Rexhepi e ka marrë me keqardhje, lajmin për pezullimin e pjesëmarrjes së institucioneve të Kosovës, ne disa takime ndërkombëtare që do të mbahen këtë muaj në Bruksel dhe Ohër. Megjithatë, ai përmes një komunikate ka premtuar, se qeveria do të vazhdojë të punojë me UMNIK-un, përmes angazhimit konstruktiv. Sipas tij duhet kuptuar se UMNIK-u ka nevojë për institucionet e përkohshme dhe anasjelltas.

Pjesëmarrja e institucioneve të Kosovës në takimet e këshillit të NATO-s në konferencën parlamentare të Paktit të Stabilitetit dhe në konferencën rajonale të organizuara nga BE, NATO, OSBE dhe Paktit të Stabilitetit, nga vetë krerët e këtyre institucioneve ishte konsideruar, si një hap i rëndësishëm i fillimit të përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare./tvklan.al

Gazetare – Blerta Foniqi