Kryeministri Hashim Thaçi, ka paraqitur sot para parlamentit raportin 1-vjeçar të punës së qeverisë së Kosovës. Në fjalën e tij tha se kabineti qeveritar ka bërë një punë të madhe në një vit të rëndësishëm për Kosovën.

Hashim Thaçi: “Është i sukses i përgjithshëm, është një sukses i cili vlerësohet nga të gjithë, nga opinioni publik dhe nga mekanizmat relevant ndërkombëtarë, është një investim në të gjithë sektorët edhe në arsim, edhe në shëndetësi, edhe në bujqësi, edhe në infrastrukturën rrugore, edhe në energjetikë. Pastaj është suksesi historik i arritjes së shpalljes së Kosovës, shtet i pavarur sovran dhe demokratik por dhe implementimi i dokumentit të president Ahtisarit, nxjerrjes së kushtetutës së republikës së Kosovës, suksesi në konferencën e donatorëve, nxjerrja e simboleve unifikuese shtetërore dhe para se gjithash raporti i progresit të Komisionit Evropian për Kosovën”.

Por fjalimi i kryeministrit është kritikuar nga partitë opozitare. Sipas të cilave e vërteta është se vendi ka ngecur në zhvillim gjatë qeverisjes mes PDK-së dhe LDK-së. Kryeministri Thaçi, ka refuzuar të përgjigjet direkt në këto kritika.

Hashim Thaçi: “Opinionet e opozitës janë të mirëpritura të frytshme dhe dopje prurëse për punën tonë të mëtutjeshme”.

Një ndër sukseset të qeverisë së drejtuar nga Hashim Thaçi, konsiderohet infrastruktura rrugore dhe vënia e rregullit në sistemin arsimorë të Kosovës, derisa dështim konsiderohet pamundësia e shtrirjes së autoritetit të saj në gjithë territorin e vendit./tvklan.al

Gazetar: Leonard Kërquki

Montazh: Vilma Halilaj