Miratimi i planit 6 pikësh të Ban Ki Moon-it një ditë më parë nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka qenë në fokusin e takimit që kryeministri Berisha dhe ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, kanë zhvilluar me delegacionin e komisionit të jashtëm parlamentar të Kosovës, kryesuar nga Sabri Hamiti.
Berisha dhe Basha kanë siguruar deputetët kosovarë për mbështetjen maksimale të Tiranës zyrtare për çdo qëndrim që Prishtina do të mbajnë në marrëdhëniet me institucionet ndërkombëtare, duke lënë të kuptohet se vendosja e EULEX-it në të gjithë territorin kosovarë, përfshirë këtu dhe veriun e saj, të jetë vendimi i vetëm që do të mbështesin.
Lulzim Basha: “Qëndrimi ynë si Shqipëri edhe gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, është i njëjtë me atë që kemi shprehur më përpara, mbështetje e plotë pa rezerva, pa mëdyshje e Prishtinës e vendosmërisë së Prishtinës por të bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtarë për këtë komponent të rëndësishëm të planit Ahtisaari, vendosjen e EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës, në përputhje të plotë me kushtetutën e republikës së Kosovës, me ligjet e vendit dhe me pëlqimin e autoriteteve të Kosovës. Është një fazë e rëndësishme siç thashë e inflementimit të plotë të planit Ahtisaari dhe e kalimit përfundimtarë të të gjitha kompetencave të OKB-së tek misioni EULEX”.
Sabri Hamiti: “Është momenti që të kemi një strukturim të fuqishëm të politikës shqiptare, e thashë me qëllim politika shqiptare që nënkupton tanimë 2 vende të pavarura sidomos në raport me politikat aktuale që kanë të bëjnë me Kosovën. Ne shpresojmë që vendosja e EULEX-it në funksionin e vet origjinar do të jetë funksional në Kosovë shumë shpejt dhe në çdo cep të tij. Kjo është zgjidhja, të gjitha zgjidhjet e tjera mund të jenë problematike dhe jo efektive”.
Në qëndrimet e tyre zyrtare kryeministri Berisha, kryeparlamentarja Topalli dhe ministri i jashtëm Basha janë shprehur më herët se ishin kundër planin të Ban ki Moon duke e parë atë si një plan i cili parashikonte një ndarje të butë të territorit të Kosovës, çka për ta do te sillte destabilitet./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka
Operator: Metlin Kepi
Montazh: Ergis Hasanbelli