55-vjeçari akuzohet për trafik droge
Pas pak më shumë se dy muajsh nga arrestimi i Gëzim Çelës në Kosovë, gjykata themelore e Ferizajt ka vendosur të miratojë kërkesën për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Lajmin e dha Ministria e Drejtësisë e cila njoftoi se i ashtuquajturi “Baron i drogës”, do u dorëzohet autoriteteve shqiptare të cilat e kishin shpallur prej vitesh në kërkim. Ekstradimi do të bëhet me procedurë të thjeshtë pasi edhe vetë Çela ka dhënë aprovimin.
55-vjeçari u arrestua në Dhjetor të vitit që lamë pas, pasi ndaj tij kishte një urdhër-arresti të lëshuar nga SPAK. Ai akuzohet si organizator i një grupi kriminal që u godit në Tetor të vitit të shkuar në një operacion të koduar “Flakë në det”.
Grupi i drejtuar prej tij tentoi që të trafikojë lëndë narkotike nga brigjet shqiptare, tentativë që nuk u finalizua falë ndërhyrjes së Policisë së Shtetit.
Por ky proces penal nuk është i vetmi për ish-punonjësin e Forcave Speciale.
Gëzim Çela e nisi aktivitetin e tij kriminal që në vitin 1998 në Itali, vend ky ku ka dhe një dënim në mungesë prej 20 vitesh. Dhe në Shqipëri është akuzuar për shumë ngjarje dhe i dënuar në vitin 2014 në mungesë për një laborator për përpunimin e kokainës në zonën e Laçit.
Tv Klan