Politika, homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” 

26-vjetori i epopesë së UÇK-së, e cila shënon ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz ka çuar krerët e shtetit të Kosovës në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. Pasi kryen homazhe në nder të veprës së komandant Adem Jasharit dhe familjes së tij, presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti theksuan se sot Kosova është një shtet i lirë falë edhe sakrificës së tyre dhe gjithë heronjve të tjerë të UÇK-së. 

“Familja Jashari do të mbetet përjetë udhërrëfyes për brezat e tanishëm dhe brezat që do të vijnë pas nesh. Lavdi përjetë komandantit Adem Jashari e gjithë anëtarëve të familjes Jashari”, u shpreh presidentja Osmani.

“Të mos harrojmë të kaluarën e të mos devijojmë drejt të ardhmes. Me përkulje respekti e ndjenjë admirimi gjithnjë e përgjithmonë u jemi falënderues e mirënjohës Jasharëve”,  tha kryeministri Albin Kurti.

Homazhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari bëri edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili tha se datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, shënojnë kthesën më të madhe në historinë e Kosovës.

“Jo vetëm që zgjuan vetëdijen tonë kombëtare, por ato për herë të parë morën edhe vëmendjen ndërkombëtare gjë që ndihmojë në masivizimin e luftës çlirimtare të UÇK-së”, tha kreu i PDK, Memli Krasniqi.

Ndërsa kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në kuadër të kujtimit të epopesë së UÇK-së zgjodhi të marrë pjesë në zbulimin e busteve të heronjve Sala dhe Hamit Jashari po në Prekaz.

Tv Klan