Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën e sotme me dy urime. Njërin për të gjithë socialistët në 33 vjetorin e themelimit të partisë së majtë, e së dyti për Kosovën në përvjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s krah me UÇK-në.

“MIRËMËNGJES, me një përqafim çdonjërit prej 93 mijë anëtarëve të Partisë Socialiste në këtë 33 vjetor të lindjes së saj, si edhe me një falënderim plot mirënjohje për simpatizantët e zgjedhësit që e kanë bërë partinë tonë forcën më të madhe të shqiptarisë, mishërim të Shqipërisë Europiane dhe sinonim të fjalës fitore, si edhe gjithashtu me një urim nga zemra të gjithë popullit të Kosovës për përvjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s krah për krah me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shkruan Kryeministri në Facebook.


Kujtojmë se ditën e djeshme u zhvillua mbledhja online e Asamblesë së PS, ku Rama vuri theksin te Kongresi i 20 Korrikut.

Kongresi do duhet të trajtojë edhe një pasqyrë të gjendjes së përgjithshme në vend duke projektuar punën për programin e mandatit të katërt në funksion të vizionit “Shqipëria 2030”, u shpreh ai./tvklan.al