Mijëra qytetarë i kanë thënë sot jo propozimit 6 pikësh të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, përmes një proteste në Prishtinë, të organizuar nga 19 Organizata Jo Qeveritare.
Protestuesit kërkuan që EULEX të shtrihet në Kosovë, por vetëm në marrëveshje me Prishtinën e asesi me Beogradin.
Nën moton “Ta mbrojmë sovranitetin e Kosovës”, qytetarët kanë filluar marshin e tyre nga Biblioteka Kombëtare Universitare për të përfunduar para ndërtesës ku do të jetë selia qendrore e EULEX-it.
Albin Kurti: “Ne jemi mbledhur sot këtu që t’i themi jo ndarjes së Kosovës dhe se Kosova është sovrane e për këtë duhet të vendos populli dhe vetëm populli.”
“Nuk duam më të jemi eksperiment.”
“Vullneti ynë është në përputhje të plotë me vlerat e demokracisë, sepse ne kemi zgjedhur kështu. Populli i Kosovës e ka zgjedhur dhe e ka pranuar demokracinë si vlerë të veten. Ndërsa tentimi për t’ia imponuar të kundërtën është e kundërta e demokracisë. 6 pikat e Ban Ki Moon janë e kundërta e demokracisë.”
Javën e kaluar sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon propozoi një plan 6 pikësh për vendosjen e EULEX-it. Aty ai parasheh që EULEX të jetë mision neutral ndaj statusit derisa propozon se do krijohet një polici etnike serbe që do të ishte e shkëputur nga zinxhiri komandues i policisë së Kosovës.
Zgjidhjet të ngjashme jep edhe për gjykatat dhe doganat. Ky propozim është refuzuar tërësisht nga lidershipi i Prishtinës përkundër presioneve që kanë ushtruar mbi ta përfaqësuesit e vendeve të Kuintit.
Protesta e sotshme ku sipas organizatorëve morën pjesë rreth 30 mijë qytetarë. Është një nga protestat më masive që janë organizuar në Kosovë këto vitet e fundit./tvklan.al
Gazetar: Leonard Kërquki