Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Rihapet pika kufitare e Morinës, pas tre ditësh të bllokimit të kufirit nga ana e serbëve. Serbët kanë hapur dhe kufirin me Maqedoninë. Megjithatë fluksi i të ardhurve nga Kosova në këtë orë nuk është shumë i madh. Shifra e përgjithshme e të shpërngulurve me forcë nga shtëpitë e tyre sipas Pentagonit ka arritur në 1.4 milion persona të shpërngulur nga Kosova.

Këto janë pamje të kampit të Stakoviçit në Maqedoni. Policia Maqedonase ka nën vëzhgim çdo lëvizje në kamp, ndërkohëqë problemi kryesori i kosovarëve është bashhkimi me familjet e tyre.

Sadako Ogata pas vizitave në Shqipëri dhe Maqedoni ju ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Australisë dhe Kanadasë që të mos marrin refugjatë pasi shumë prej të ikurve, shumë shpejt mund të kthehen në shtëpitë e tyre. Në bazë të kësaj Australia ka pezulluar marrjen e katër mijë refugjatëve.

Nato i ka vazhduar sulmet dhe gjatë natës së mbrëmshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm. Mbrëmë mbi territorin jugosllav kanë flutuar 60 avione të Aleancës së Atlantikut. Gjatë sulmeve është shkatërruar dhe repetitori i Televizionit të Prishtinës. Sipas zyrtareve të NATO-s janë shkatërruar pikat e furnizimit të karburanteve të Millosheviçit, depot e armatimit dhe është vështirësuar komunikimi mes forcave ushtarake në terren.

Diplomacia botërore është angazhuar për të zhbllokuar situatën e krijuar nga deklarimi i Jelcinit për një sulm të mundshëm të raketave të Rusisë ndaj vendeve të NATO-s që sulmojnë Serbinë. Medlin Ollbrajt ka planifikuar një takim me Ministrin e Jashtëm Rus Igor Ivanov. Shefi i Diplomacisë Gjermane Fisher ka organizuar një takim të Ministrave të Grupit të 8 për të biseduar për Kosovën. Me gjithë kërcënimin e Jelcinit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO nuk i kanë ndaluar sulmet./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori