Një rrugë si kjo shumë shpejt do të fillojë të ndërtohet edhe në Kosovë. Për këtë punë do të kujdeset pikërisht firma që ndërtoi autostradën shqiptare. Komuniteti ndërministror zgjodhi kompaninë Bektel Enka si fituese të tenderit për ndërtimin e autostradës Vërmic-Prishtinë-Merdarë.

Fatmir Limaj: “Është hapur mundësia e fillimit të përmbylljes së negociatave për kontratën me kompaninë Bektel Enka, e cila kompani është fituese në kuptimin e vlerësimit teknik dhe financiar nga përzgjedhja e listës.”

Bektel Enka do të bëjë një rrugë pak më ndryshe se ajo e para parë në planin fillestar. Sipas versionit të ri autostrada devijon nga  Dula për të kaluar përmes Malishevës e jo nëpër Shtimje e Lipjan dhe është për 20 kilometra më e gjatë.

Ministri i Transportit Fatmir Limaj tha se kjo është bërë për të ikur në terrenet malore, ndonëse është zgjatur, çmimi është më i lirë.

Fatmir Limaj: “Domethënë vetëm për 22 km nga Qafa e Dulës e deri në Shtimje do të kushtonte për 22 km 405 milion euro.”

Autostrada pritet të përfundojë për 3 vjet dhe llogaritet të kushtojë më tepër se 1 miliard euro./tvklan.al