Partitë politike kryesore të Kosovës nuk po gjejnë ende emëruesin e përbashkët për krijimin e qeverisë së re dhe për ndërtimin e institucioneve. Një ditë pas shpalljes përfundimtare të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare, çështja e qeverisë u diskutua gjatë një takimi mes shefit të UNMIK-ut Petersen dhe katër udhëheqësve kryesorë politikë: Rugova, Thaçi, Haradinaj e Surroi.

Megjithatë asnjë nga partitë fituese nuk ka arritur të përcaktojë aleatët e mundshëm për të qeverisur. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, që është propozur nga partia e tij për kryeministër, pohoi se java e ardhshme pritet të japë më shumë rezultate mbi diskutimet për ndërtimin e institucioneve të vendit.

Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj u shpreh se i kishte dhënë mbështetje shefit të UNMIK-ut për përfaqësimin e pakicës serbe në institucionet e Kosovës, por duke kërkuar që, pavarsisht nga qëndrimi i tyre, proceset në vend të ecnin me ritmin e duhur.

Drejtuesi i grupimit politik ORA Veton Surroi ka përsëritur sërish qëndrimin e subjektit të tij politik se është i gatshëm, si për të hyrë në pushtet, ashtu edhe për të qëndruar në opozitë, në Parlamentin e Kosovës.

Në tavolinën e bisedimeve të Petersen është diskutuar dhe çështja e ftesës së Gjykatës së Hagës drejtuar Ramush Haradinajt për të dëshmuar lidhur me aktivitetin e tij si një prej komandantëve të UÇK-së në vitin ‘98-‘99. Haradinaj e ka pranuar ftesën e kësaj gjykate dhe do t’u përgjigjet pyetjeve të prokurorëve të saj gjatë javës së ardhshme në Prishtinë. /tvklan.al