Kosova dhe Shqipëria e thellojnë edhe më tej bashkëpunimin në fushën e ekonomisë. Të martën u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi mes Komisionit të Konkurrencës së Kosovës dhe autoritetit të konkurrencës së Shqipërisë. Kjo marrëveshje fuqizon edhe më tepër bashkëpunimin e dy autoriteteve në fushën e ligjit dhe politikës së konkurrencës.

Kryetari i Komisionit të Konkurrencës së Kosovës, Osman Ejupi, tha se ky memorandum do të ndalojë çdo sjellje anti konkurruese mes dy shteteve.

Osman Ejupi: “Sjelljet anti konkurruese në kuptimin e pozitës dominuese, abuzimet me pozitën dominuese, marrëveshjet e ndërmarrjeve që mund të rezultojnë si kufizime apo si shtrembërime, ose si deformime të tregut të konkurrencës do të jenë po ashtu objekt i këtij memorandumi të bashkëpunimit”.

Në anën tjetër Lindita Milo, kryetare e autoritetit të konkurrencës së Shqipërisë, tha se konkurrenca është fenomeni më i pashmangshëm i ekonomisë së tregut.

Lindita Milo: “Konkurrenca në vetvete është fenomeni i pashmangshmi i ekonomisë së tregut. Nuk është një institucion i ngritur në rrugë ligjore, por është thjeshtë një nevojë domosdoshmëri i cili mendon si për biznesin, për një zhvillim të pa shmangshëm, për një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë, të biznesit në vetvete”.

Sipas saj kjo i ndihmon biznesit por edhe qytetarëve në të dyja vendet. Komisioni i konkurrencës së Kosovës, pritet të zgjerojë bashkëpunimin edhe me vendet e rajonit, siç është Maqedonia, pastaj me Kroacinë, Malin e Zi, Bullgarinë dhe me vendet e tjera të rajonit dhe Europës./tvklan.al