Lajme Arkiva – Tv Klan 2000
Është mbledhur sot Komiteti i Përgjithshëm Drejtues i Partisë Socialiste, i cili i paraprin Kongresit të 4 të kësaj partie, që do të mbahet më 30 Qershor të këtij viti. Platforma elektorale e PS për zgjedhjet e pushtetit lokal, si dhe raporti që do të mbahet në Kongres, ishin dy nga elementet e diskutimit në takimin e socialistëve. Socialistët e këtij forumi kanë miratuar raportin, por kanë ngecur tek platforma.
Nga burime brenda takimit mësohet se disa diskutantë, janë shprehur se platforma përmban parime të përgjithshme dhe se ajo duhet plotësuar. Ndërsa sekretari Rama, i cili kryeson grupin e punës për hartimin e kësaj platforme është shprehur, se ajo do të plotësohet me detaje dhe specifikat e çdo komune dhe bashkie, nga strukturat e partisë në bazë.
Socialistët e KPD, janë shprehur dhe për koalicionin Aleanca për Shtetin, duke nënvizuar se kontributi i koalicionit dhe i partive të veçanta, duhet të diskutohet në kongres. Kryetari Nano ka pohuar sot se, duhet rishikuar koalicioni dhe ka nxjerrë në pah si të domosdoshme, analizën e këtij koalicioni në kongres.
Raporti që do të mbahet në kongres, nga sekretari i përgjithshëm Namik Dokle, përmban analizën e punës së qeverisë dhe partisë, si dhe prioritetet e kësaj qeverie deri në mbyllje të mandatit në vitin 2001, të cilat janë dritat, uji dhe rrugët. KPD sot ka dhënë pëlqimin dhe për kandidatët e komisionit të garancive statutore, si dhe për dy kandidatët për kryefinancier të PS.
Luan Rama:- “Diskutuam dy kandidatura për kryefinancier të partisë, njëra është Rajmonda Stefa dhe tjetri është Aleko Stillo, ekonomistë, të dy socialistë me stash 9 vjeçar në PS”.
Në takimin e sotëm me konsensus është vendosur, që Ministri i Rendit Spartak Poçi, të jetë anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues, post të cilin ai nuk e gëzonte më, pas dorëheqjes nga posti i kryetarit të PS për Tiranën./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego