Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka debatuar mbi shpalljen e rezultateve paraprake një ditë më parë. Anëtaret socialistë të tij e quajtën jo korrekte publikimin e përkthimit të përqindjeve në mandate, ndonëse mbrëmjen e shkuar e pranuan se Kodi Zgjedhor nuk e ndalonte një gjë të tillë.
Genc Gjonçaj: “Unë besoj zoti kryetar që kjo deklaratë me një prapavi të qartë politike nuk ishte në funksion të informimit transparent të publikut, për çka dhe si po vepron KQZ. Por vetëm dhe thjeshtë për të manipuluar opinionin publik dhe për t’i treguar numra të cilat në mënyrë jo të saktë vendosen për krahë subjektit zgjedhor PD”.
Por kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, sqaroi se publikimi i rezultateve paraprake është në vazhdimësi të informimit të këtij institucioni mbi ecurinë e zgjedhjeve, duke nisur që nga nisja e numërimit të votave dhe të transparencës së procesit elektoral.
Arben Ristani: “KQZ e ka organizuar punën për menaxhimin e zgjedhjeve në mënyrë maksimalisht transparente. Gjatë gjithë ditës së votimit janë dhënë shifra për pjesëmarrjen në zgjedhje, gjatë ditës së numërimit janë dhënë informacione dhe shifra për rezultatet që dilnin pas çdo kutie. Në funksion të kësaj ka qenë edhe konferenca për shtyp e djeshme e zëdhënësit për të informuar publikun për rezultatin e deritanishëm, i cili sigurisht është paraprak sepse ashtu siç that dhe juve janë dhe disa kuti të tjera të pa numëruara”.
Të dhënat paraprake të KQZ-së i japin koalicionit të djathtë të Aleancës për Ndryshim 71 mandate, atij të majtë të Bashkimit për Ndryshim 65 dhe Aleancës Socialiste për Integrim të Ilir Metës, 4 mandate.
Sali Berisha: “KQZ ka shpallur rezultate paraprake. Shpallja e rezultatit paraprak është një standard konstant i kërkuar dhe i sanksionuar dhe në dokumenta ndërkombëtare për zgjedhjet. Por rezultati paraprak dhe rezultati definitiv janë dy gjora krejtësisht të veçanta, ndaj dhe zoti Ruçi sa me vend të mbledhë njerëz që si shkon kush mbrapa përveç policëve të bashkisë së Edi Ramës dhe kryepunëtoret e Koço Kokdhimës, më mirë të shkoj të ulet aty ku numërohen votat, të marrë lupën edhe të kontrollojë numërimin e ndershëm të tyre, kaq është gjet zgjidhja”./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro