Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Erton Sinani:- “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaron, se kanë mbaruar procedurat e votimit dhe aktualisht komisionet e qendrave të votimit po punojnë për numërimin e votave dhe përmbushjen e tabelave të rezultatit, të gjitha qendrat e votimit kanë qenë në kushtet e normalitetit. Përsa i përket KZQV të bashkisë Himarë, Qarku Vlorë, procesi zgjedhor në këtë njësi zgjedhore, që në fillimin e tij ka hasur vështirësi të karakterit teknik dhe si më tej është shoqëruar me disa vështirësi, të cilat vazhdojnë edhe në këto momente, respektivisht në qendrën e votimit nr. 45/80 në Pilur, në qendrën e votimit 45/85 në Dhërmi. Procesi zgjedhor që në mëngjes është shoqëruar me mosmarrëveshje midis komisionerëve duke shkaktuar edhe bllokimin e tij të përkohshëm në pjesën e parë të mëngjesit. Sipas informacioneve të para të ardhura nga KZQV Himarë, grupe njerëzish kanë ushtruar presion dhe kjo ka shkaktuar ndërprerjen e procesit të votimit që ka rifilluar sërisht më vonë. Nga ana tjetër, komisioni i kësaj qendre votimi, i ka drejtuar një kërkesë policisë, për t’u pozicionuar para hyrjes së qendrës së votimit, është firmosur një procesverbal nga kryetari, nënkryetari, që ka lejuar edhe pozicionimin e forcave të rendit, përkatësisht dy punonjës para hyrjes së godinës së qendrës së votimit”./tvklan.al