Ministria e Pushtetit Vendor dhe Gjendja Civile janë në gjendje që brenda vitit të përfundojnë listat e zgjedhësve. Drejtoria e Gjendjes Civile po bashkëpunon me KQZ dhe faktorët e tjerë për të sjellë në zgjedhjet e ardhshme lista të pakontestueshme brenda kompetencave që i jep ligji.
Drejtoresha e Gjendjes Civile Brisida Gjikondi nuk ndan të njëjtin opinion me kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në pikën e kritikave drejtuar nga ky i fundit për punën e Gjendjes Civile. Pengesa nuk kanë qenë ata për përgatitjen e regjistrimit të listës së zgjedhësve. Sipas saj, secili nuk duhet të gjejë defekte tek të tjerët, por tek puna e tij.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duhet të zbatojë kodin zgjedhor, Gjendja Civile ligjin e gjendjes civile dhe bashkitë ligjin e përcaktuar për ta, Kushtetuta i ka ndarë detyrat. Ndërsa zëdhënësi i KQZ, shprehet se është vështirë që listat të përfundojnë brenda 8 muajve që na ndajnë nga koha e zgjedhjeve. Për KQZ duhet të kalojë ligji në parlament, pa të nis puna për regjistrimin dhe adresat.
Erton Sinani: “Të gjithë qytetarët e Tiranës ata që janë të regjistruar në zyrat e gjendjes civile dhe aktualisht banojnë në Tiranë, janë në listën e zgjedhësve të vitit 2003, kanë qenë aty, por problem nuk ka qenë përfshirja e tyre, problem ka qenë thjesht aplikimi i qendrave të sakta të votimit për një sasi qytetarësh. Ky është problem që vjen nga sistemi jo i plotë i adresave. Ajo që duhet të bëhet është që politika shqiptare, të gjithë faktorët duhet që menjëherë sa më shpejtë që të jetë e mundur ta kalojnë në Kuvend.”
Në maj të këtij viti, Komisionit Qendror i Zgjedhjeve i ka dorëzuar zyrës së gjendjes civile një listë me 144 mijë emra të regjistruar më shumë se një herë, të cilët tashmë janë pastruar nga zyra e gjendjes civile./tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti