Kur mbeten edhe pak ore nga skadimi i afatit për dorëzimin e listave te deputeteve pranë Komisionit Qendror te Zgjedhjeve, ende dy partitë e mëdha, ajo demokratike dhe selia roze nuk kane bere publike emrat e kandidateve qe do te garojnë ne zgjedhjet e 28 Qershorit.

Edhe pse afati i fundit është ora 20.00 e mbrëmjes te dyja palët duket se do te shfrytëzojnë limitet kohore për t’i dorëzuar ato pranë Komisionit Qendror te Zgjedhjeve.

E ndërsa ne kampin blu gjate paradites nuk ka patur asnjë mbledhje kryesie, ne emisionin Opinion te se hënës te gazetarit Blendi Fevziu, kryetari i grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi, deklaroi se selia blu do t’i ketë gati listat ne orën 19.00 te mbrëmjes, çka tregon se është ende duke iu dhënë dora e fundit.

Ne selinë roze nuk kane qene te pakta lëvizjet e deputeteve socialist, te cilët janë pare qe ne orët e para te mëngjesit. Madje ne mesdite ka patur dhe një mbledhje kryesie te kësaj partie qe është shoqëruar me një deklarate të zëdhënëses, Mimi Kodheli, ku sqarohej se Edi Rama dhe drejtuesit e selisë roze po punojnë për një liste kandidatesh premtuese.

Mimi Kodheli: “Edi Rama dhe drejtuesit e Partisë Socialiste po punojnë intensivisht për të përfunduar listën për kandidatët deputetë të partisë sonë. Ju sigurojmë që ajo do të jetë një listë premtuese. Për të futur në listë vlerat e këtyre njerëzve ka qenë një punë e vështirë, por absolutisht një kënaqësi e madhe. Është në dritën e diellit dhe e qartë për të gjithë që drejtuesit dhe anëtarët e Partisë Socialiste kanë talentin e mjaftueshëm, devotshmërinë dhe profesionalizmin e mjaftueshëm për të sjellë në jetën tonë një politikë të re, atë të ndryshimit.”

E ndërsa ora 20.00, shënon dhe afatin e fundit për subjektet politik lidhur me dorëzimin e 140 emrave te cilët do te garojnë ne 12 qarqe ne zgjedhjet e 28 Qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve behet me dije se deri me tani pranë këtij institucioni janë depozituar listat shumë emërore te 13 subjekteve politike mes te cilëve ato te LSI-s, dhe Partisë Demokracia Sociale./tvklan.al