Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbyll “de facto” procesin zgjedhor me shpërndarjen e mandateve për deputetë në tre qarqet e fundit të Shqipërisë Shkodër, Tiranë dhe Fier.
Duke votuar në unanimitet 7 anëtarët e KQZ-së ndanë 59 mandate për këto 3 qarqe pas përfundimit të ankimimeve të subjekteve politike në Kolegjin Zgjedhor.
Arben Ristani: “Rezultati përfundimtar në bazë të nenit 167 të kodit zgjedhor, duhet të dali jo më vonë se 5 ditë nga dita kur shpallen rezultatet dhe shpërndahen mandatet për çdo zonë zgjedhore. Pra jo më vonë se 5 ditë nga sot, do të thotë që të shtunën duhet të kemi vazhdimin e kësaj mbledhje të KQZ-së”.
Ashti siç e tha edhe kryetari Ristani certifikimi përfundimtar i zgjedhjeve do të bëhet vetëm pas 5 ditësh. Zëdhënësi i KQZ-së shpjegon edhe arsyen.
Leonard Olli: “Ju lihet në dispozicion subjekteve politike dhe të drejtën e tyre për t’u ankimuar në raport me vendimmarrjen e komisionit, sa i takon llogaritjes së mandateve brenda koalicioneve apo dhe në mes koalicioneve, apo ndoshta dhe për element të mundshëm të listës shumë emërore. Është një këndvështrim teknik do të thoja që parashikon kodin zgjedhor, por që sigurisht KQZ është i detyruar ta respektoj me rigorozitet edhe këtë pikë”.
Mbledhja e sotme, e fundit përsa i përket shpërndarjes së mandateve, vendosi që Koalicioni Aleanca e Ndryshimit, i kryesuar nga PD të marrë në rang kombëtar 70 mandate deputetësh, Bashkimi për Ndryshim i partisë Socialiste 66 dhe Aleanca Socialiste për Integrim 4 mandate./tvklan.al
Gazetari: Erion Todhe