Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marr ne shqyrtim ditën e marte ankimimet e 3 forcave politike, respektivisht Partisë Socialiste, PBDNJ dhe LZHK të cilat kërkonin rivlerësimin dhe rinumërimin e votave për afro 1/10 e qendrave të votimit në kryeqytet.

Kërkesa për hapjen dhe rinumërimin e kutive të votimit në afro 100 qendra votimi në Tiranë është formuluar dhe nga 2 anëtarë të KQZ, Dëshira Subashi dhe Artan Laze, por kjo kërkesë është cilësuar si e pabazuar  në kodin zgjedhor dhe e motivuar politikisht si nga përfaqësuesit e djathtë në KQZ ashtu dhe nga vetë kreu i këtij institucioni zoti Ristani.

Arben Ristani: “Kërkohet rinumërim dhe rivlerësim për vota të caktuara dhe është pikërisht shprehja që e zgjidh problemin, pavarësisht se kur e lexojnë e lexojnë me zë të ulët sepse ju leverdis të theksojnë vetëm rinumërimin apo rivlerësimin. Prandaj i është referuar ligjit vota të caktuara, do të thotë vota të cilat kanë lënë gjurmë në dokumentacionin zgjedhor dhe pasi kanë lënë gjurmë janë individualizuar, janë caktuar si të tilla dhe duke qenë vota të caktuara, pikërisht për këto vota të caktuara mund të kërkosh rinumërim apo rivlerësim. Jo në tërësi, në mënyrë gjenerike gjithë votat e Shqipërisë.”

Dëshira Subashi: “Kjo dispozitë është një dispozitë e rinumërimit të votave me kërkesën e dy anëtarëve e detyrueshme për KQZ.”

Pas debateve të shumta dhe një hetimi administrativ që ka zgjatur për më tepër se 3 orë, kërkesa për rivlerësim dhe rinumërim të votave në disa qendra votimi në Tiranë është hedhur poshtë nga KQZ me 4 vota në favor dhe 3 kundra me argumentin se kërkesat e 3 forcave politike nuk janë të bazuara  ligjërisht./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka