Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Fushata elektorale për zgjedhjet e Tetorit është hapur zyrtarisht këtë të premte. 50 partitë e regjistruara në KQZ, nisin kështu turet elektorale me premtimet e tyre, ndërsa mediat pasqyruese të çdo veprimtarie janë nën mbikëqyrje.
Sot është dita nga ku nis dhe monitorimi i informacioneve të dhëna mbi çdo parti. E rëndësishme për bordin, i cili monitoron Radiot dhe Televizionet në Shqipëri është lajmi objektiv dhe jo vetëm balancimi i kohës. Për shkelësit janë vendosur edhe sanksione.
Ilirjan Celibashi:- “Për RTVSH, sanksionet parashikohen dhe për reporterët. Kurse për operatorët privat radioteleviziv, sanksionet më tepër shkojnë tek përgjegjësit, sanksione të cilat shkojnë deri në bllokimin e transmetimit për 48 orë. Ka dhe gjoba të cilat shkojnë deri në 2.5 milion lekë maksimalja. Mundet që ju të jepni një kronikë 30 minuta për X subjekt zgjedhor dhe kjo kronikë mund të mos thotë asgjë dhe ndërkohë në 5 minuta për një subjekt tjetër zgjedhor mund të jetë sensi i propagandës elektorale më i fuqishëm. Edhe në ato raste kur do të konsiderohet nga bordi i monitorimit apo dhe nga subjekte të tjera që X operator radioteleviziv ka shkelur rregullat besoj që KQZ do ta vlerësojë me mjaft përgjegjshmëri këtë”.
Kryetari i Celibashi beson në mediat dhe nuk mendon se do të vërehen shkelje e të ndërmerren sanksione./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti