Vetëm njësitë 1 dhe 12 kanë dorëzuar materialet e plota në Komisionin Zgjedhor të Qeverisjes Vendore të kryeqytetit. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve bëri të ditur se po shqyrton masat ndëshkuese ndaj komisionerëve që po bëhen pengesë për dorëzimin e kutive të votimit.
Erton Sinani: “Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve po shqyrton masat ndëshkuese, pasi ky proces tentohet të ngadalësohet, të bllokohet për të mos pasur marrje veprimi dhe për të sjellë një zgjatje artificiale të procesit zgjedhor”.
Zëdhënësi i KQZ, Erton Sinani tha se përveç të tjerash masat ndëshkuese do të shkojnë deri në shkarkimin dhe zëvëndësimin e komisionerëve me të tjerë, të cilët japin më shumë garanci për përfundimin e punës. Procesverbali i mbërritur sot nga qyteti i Durrësit do të merret nesër në shqyrtim nga KQZ. Në këtë procesverbal i firmosur nga 4 antarët e KZQV së këtij qyteti, nga të cilët një pro dhe 3 kundër, numërohen 43.8% e zgjedhësve kanë votuar për Partinë Socialiste, 37.7% e zgjedhesve kanë votuar për Partinë Demokratike, 1.5% për Aleancën Demokratike dhe 1.7% për Partinë Agrare Ambientaliste.
Lidhur me procesin zgjedhor, KQZ ka marrë sot vlerësime nga Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe nga shefi për politikën e jashtme në Bashkimin Europian Javier Solana./tvklan.al