Lajme Arkiva 2003
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shtyu për ditën e premte regjistrimin e Partisë Demokrate të Re për zgjedhjet lokale të tetorit. Mbledhja e cila ka zgjatur për më shumë se 3 orë pati debate të ashpër ndërmjet kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashit përfaqësuesit e Partisë Demokratike, Ferdinand Poni dhe juristit të partisë demokratike Ilir Rusmajli.
Ilirjan Celibashi: Do të nxjerr përjashta. Të nxjerrë për atë punë, por nuk dua të merrem me atë. Nuk jeni kaq të plotfuqishëm, se trima mund të jeni. Unë të nxjerr përjashta kur të dua se e kam atributin, mos më provoko të lutem. Prit të mbaroj njëherë.
Vendimi për shtyrjen e regjistrimit të partisë së Pollos ka parasysh reflektimin e partive politike. Ndërkohë edhe vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet ta shikojë me imtësi këtë çështje pasi neni 20 i kodit të ri zgjedhor i atribuon asaj të drejtën për të vendosur se cila nga partitë ka të drejtë duke verifikuar dy sigla të ngjashme.
Ilirjan Celibashi: Ne nuk mund të detyrojmë një parti politike ti themi që merr këto shkronja nistore, por kemi plotësisht të drejtë një parti politike ta detyrojmë të mos i përdori këto dhe unë mendoj se detyrimi nuk vjen nëpërmjet mos regjistrimit me këto sigla. Ajo parti politike duhet të regjistrohet me ato sigla që e ka regjistruar gjykata mirë ose keq. Por mendohet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kur konstatohet që pikërisht një, dy apo më shumë parti kanë shkronja nistore të ngjashme apo të përafërta që mund të shkaktojnë ngatërresë te zgjedhësit te zgjedhja e njërit prej zgjedhësve Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka plotësisht të drejtë në këtë raund në përputhje me ndryshimin që është bërë në kodin zgjedhor ti thotë asaj partie politike, më vjen keq por ju pavarësisht se keni këto shkronja nistore nuk do ti përdorni.
Me debat kaloi edhe propozimi i përfaqësuesit të Partisë Demokratike Poni për largimin e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Igli Toskës pasi sipas tij zëvendësuesi i Toskës duhet të emërohet nga këshilli i lartë i drejtësisë./tvklan.al